Komisioni Evropian ka ulur parashikimin e rritjes ekonomike për Bashkimin Evropian në vitin 2026 në 1,1%, ndërsa inflacioni pritet të rritet në 3,1%, si pasojë e rritjes së çmimeve të energjisë të nxitura nga konflikti në Iran.
“Konflikti në Lindjen e Mesme ka shkaktuar një goditje të madhe energjetike, duke vënë edhe më shumë në provë Evropën, në një mjedis tashmë të paqëndrueshëm gjeopolitik dhe tregtar”, deklaroi sot komisioneri i BE-së për Ekonominë, Valdis Dombrovskis.
Sipas Komisionit Evropian, çmimet e karburanteve fosile janë rritur në nivel global, si pasojë e luftës në Iran dhe bllokadës së Teheranit në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët kryesore të transportit detar të naftës.
Inflacioni në bllokun me 27 vende pritet të arrijë në 3,1% në vitin 2026, duke u parashikuar në një nivel më të lartë, prej një pikë përqindjeje, krahasuar me parashikimin e mëparshëm të publikuar në muajin nëntor.
Në zonën e euros me 21 vende, çmimet e konsumit pritet të rriten me 3% në 2026, nga 1,9% e parashikuar më herët.
Ndërkohë, parashikimi për rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) është ulur me 0,3 pikë përqindje, në 1,1% për gjithë BE-në dhe në 0,9% për eurozonën.

