Dogana e Kosovës ka iniciuar procedurë kundërvajtëse ndaj një subjekti ekonomik, pas dyshimeve për keqpërdorim të procedurës së lirimit nga detyrimet doganore dhe tatimore gjatë importit të lëndës së parë për prodhim.
Sipas njoftimit, gjatë aktiviteteve të rregullta të kontrollit pas zhdoganimit, zyrtarët doganorë kanë kryer kontrolle dokumentare dhe fizike ndaj subjektit i cili kishte autorizim për import të lëndës së parë me përfitim të lirimeve doganore dhe tatimore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Subjekti kishte realizuar importe në vlerë totale mbi 633 mijë euro, të deklaruara si lëndë e parë për prodhim. Mallrat e importuara përfshinin gëzofë natyralë qengji të përpunuar për përdorim në prodhim, si dhe materiale të tjera për prodhimin e artikujve tekstil dhe aksesorëve prej lëkure.
Megjithatë, gjatë kontrolleve në terren janë evidentuar mospërputhje mes gjendjes faktike dhe të dhënave të deklaruara në dokumentacionin doganor. Po ashtu është konstatuar se një pjesë e mallrave nuk ndodheshin në depo, ndërsa dyshohet se janë transferuar te një subjekt tjetër ekonomik që nuk gëzon të drejtën e shfrytëzimit të lirimeve doganore dhe tatimore.
Në kuadër të hetimit administrativ janë kryer vizita të përsëritura në lokacionet e subjektit, ku është vërejtur mungesë e aktivitetit prodhues në kapacitetet e deklaruara. Janë siguruar gjithashtu deklarime dhe prova lidhur me lëvizjen dhe posedimin e mallrave të importuara.
Pas koordinimit institucional dhe interpretimit të Administrata Tatimore e Kosovës, është konfirmuar se mallrat e importuara me përfitim të lirimeve nuk mund të shiten, transferohen apo barten tek subjekte të tjera që nuk janë të autorizuara për këto përfitime.
Sipas vlerësimeve preliminare, vlera doganore e mallrave të përfshira në kundërvajtje arrin mbi 285 mijë euro, ndërsa shmangia e detyrimeve tatimore vlerësohet mbi 51 mijë euro. Dogana e Kosovës ka theksuar se rasti mbetet në procedurë të mëtejshme hetimore dhe administrative.

