Gjykata Supreme e Kosovës njofyon se ka refuzuar si të pabazuar ankesën e subjektit politik “Lista Serbe”, të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke vërtetuar kështu vendimin e këtij institucioni.
Vendimi u mor nga Kolegji i Gjykatës Supreme në seancën e mbajtur më 22 maj 2026, pas shqyrtimit të pretendimeve ankimore, përgjigjes në ankesë dhe shkresave të lëndës.
Ankesa e “Listës Serbe” kishte të bënte me kundërshtimin e vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për certifikimin e dhjetë kandidatëve të subjektit politik “Za Slobodu Pravdu i Opstanak” për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026.
Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme theksoi se ankuesi nuk ka ofruar prova konkrete, të besueshme dhe bindëse për të mbështetur pretendimet se kandidatët e certifikuar nuk i përkasin komunitetit serb.
Po ashtu, gjykata vlerësoi se publikimet në media apo portale elektronike nuk përbëjnë prova juridikisht relevante për të dëshmuar përkatësinë etnike të kandidatëve.
Gjykata theksoi se barra e provës bie mbi ankuesin dhe se pretendimet për shkelje kushtetuese apo ligjore nuk mund të mbështeten në supozime apo interpretime subjektive.
Në përfundim, Gjykata Supreme konstatoi se vendimi i PZAP-së është në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, duke respektuar parimet e barazisë, të drejtave zgjedhore dhe mbrojtjes së komuniteteve.

