Në prag të festës së Kurban Bajramit, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, iu drejtua opinionit me urime dhe përgëzime për këtë festë. Ai shprehu shpresën që qytetarët ta presin dhe ta përjetojnë Bajramin në formën më të mirë të mundshme.
Myftiu Tërnava theksoi se në këtë natë feste dhe reflektimi, mesazhi i Bajramit bëhet më i fuqishëm kur zgjidhen paqja para urrejtjes, dialogu para konfliktit dhe humanizmi para interesave.
“Kurban Bajrami lidhet ngushtë me adhurimin më madhështor të Haxhit, me qëndrimin në Arafat. Sot është dita kur miliona besimtarë nga mbarë bota bashkohen në lutje, përulësi dhe kërkim faljeje para Krijuesit në rrafshnaltën e Arafatit. Qëndrim i cili na mëson barazinë mes njerëzve, pastërtinë e zemrës dhe nevojën për t’u kthyer gjithmonë tek paqja e drejtësia, mëshira e solidariteti.
Kjo festë bart në vete edhe simbolikën e Kurbanit, një akt i lartë bindjeje, sakrifice dhe afërsie me Zotin e Madhërishëm. Kurbani na kujton se njeriu fiton vlerë kur di të ndajë nga vetja për të tjerët, kur ndihmon nevojtarin, kur afron zemrat dhe forcon solidaritetin mes njerëzve.
Sakrifica dhe solidariteti që simbolizon kjo festë na ftojnë të mos heshtim përballë padrejtësisë, por të lutemi dhe të angazhohemi për një botë më të drejtë, më njerëzore dhe më të sigurt për të gjithë. Në këtë Natë të Bajramit, ju uroj që në familjet tuaja të mbretërojë paqja, harmonia dhe begatia. Zoti i pranoftë lutjet, sakrificat dhe veprat tona të mira, ndërsa zemrat tona i mbushtë me mëshirë, dashuri dhe shpresë. Me fat festa e Kurban Bajramit”, ka thënë Tërnava.

