Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh edhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, i shoqëruar nga zyrtarë të tjerë të partisë, vizitoi sot Bashkësinë Islame të Kosovës, ku u prit nga Kryemyftiu Naim Tërnava, me rastin e festës së Kurban Bajramit.
Gjatë vizitës, Hamza përcolli urimet më të sinqerta për të gjithë besimtarët myslimanë, duke theksuar rëndësinë që kjo festë ka për solidaritetin, humanizmin dhe afërsinë mes njerëzve.
“Kurba Bajrami është festë e sakrificës, e mirëkuptimit dhe e kujdesit për njëri-tjetrin. Në këto ditë feste, le të jemi më pranë familjeve tona, më solidarë me ata që kanë nevojë dhe më të bashkuar si shoqëri. Kosovës i duhet më shumë harmoni, respekt dhe shpresë për të ardhmen”, tha Hamza.
Ai shprehu mirënjohje për rolin që Bashkësia Islame e Kosovës ka luajtur ndër vite në ruajtjen e vlerave fetare, kombëtare dhe të bashkëjetesës në vend.
Në fund të vizitës, Hamza uroi që kjo festë të sjellë paqe, shëndet dhe begati në çdo familje të Kosovës, duke uruar që fryma e solidaritetit dhe e mirëkuptimit të mbizotërojë gjithmonë në shoqërinë tonë.

