Ish-kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka njoftuar se është takuar me kongresistin amerikan Keith Self, në një takim të cilin e ka vlerësuar si të rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka bërë të ditur se e ka falënderuar kongresistin Self për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, si dhe për angazhimin e tij në promovimin e vlerave të lirisë, paqes dhe partneritetit mes dy vendeve.
“Ishte nder i veçantë të takoj Kongresistin Keith Self. E falënderova për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, si dhe përkushtimin ndaj vlerave të lirisë, paqes dhe partneritetit ndërmjet dy vendeve tona”, ka shkruar Haradinaj.
Ai gjithashtu ka shprehur mirënjohje për rolin personal të kongresistit amerikan, duke theksuar edhe rëndësinë historike të Shteteve të Bashkuara në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë.
Në deklaratën e tij, Haradinaj ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet një objektiv jetik për vendin dhe rajonin, duke shtuar se miqësia me SHBA-në mbetet e fortë dhe e përhershme.

