Lidhja Demokratike e Kosovës ka prezantuar 113 zotime në kuadër të programit të saj qeverisës, duke e cilësuar atë jo vetëm si një program politik, por si një plan pune për një Kosovë që zhvillohet dhe lehtëson jetën e qytetarëve.
Sipas LDK-së, këto zotime synojnë rritjen e mirëqenies ekonomike, përmirësimin e shërbimeve publike dhe forcimin e institucioneve të shtetit.
Ndër 10 zotimet kryesore të prezantuara nga kjo parti përfshihen:
Rritje e pagave dhe pensioneve, përfshirë rritjen e koeficientit në 150 dhe dyfishimin e pensioneve.
Punësim dhe trajnime për të rinjtë e diplomuar, me synim përfshirjen e 40 mijë të rinjve në tregun e punës.
Masa për uljen e çmimeve, përfshirë moratorium në rritjen e çmimit të energjisë dhe ulje të produkteve bazike.
Forcim i orientimit euroatlantik, me synim anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe BE dhe partneritet strategjik me vendet perëndimore.
Pavarësi energjetike përmes ndërtimit të një centrali të ri me gaz amerikan.
Përmirësim i infrastrukturës rrugore dhe përfundimi i autostradave dhe magjistraleve brenda mandatit.
Krijim i vendeve të reja të punës dhe mbështetje për investime në sektorin e teknologjisë dhe ekonomisë digjitale.
Mbështetje ligjore për familjet, përfshirë shtesa për fëmijë, lehona dhe pensionistë.
Ndërtimi i një spitali të ri të Kosovës me standarde moderne.
Zbatimi i mësimit tërëditor në të gjitha komunat e vendit.
LDK ka theksuar se programi synon një shtet më funksional, ekonomi më të zhvilluar dhe përmirësim të standardit të jetesës për qytetarët e Kosovës.

