Kryetari i Partisë Fjala, Gëzim Kelmendi, ka deklaruar se subjekti që ai udhëheq synon të kalojë pragun zgjedhor prej 5 për qind në zgjedhjet e ardhshme, duke vlerësuar se një rezultat i tillë do t’i siguronte partisë gjashtë ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Në “Intervista Zgjedhore” në RTK, Kelmendi tha se partia ka vendosur të garojë me 19 kandidatë, duke mos i dhënë përparësi numrit maksimal të kandidatëve në listë, por fokusit te cilësia dhe përfaqësimi politik.
Ai theksoi se Partia Fjala nuk po organizon tubime elektorale nëpër qytete, por po zhvillon fushatën përmes takimeve të drejtpërdrejta me qytetarët.
“Ne po shkojmë te qytetari. Nuk na duket e ndershme t’i ftojmë qytetarët në tubime, kur politikbërja në Kosovë gjatë 26 viteve pas luftës nuk ka treguar suksesin e duhur. Politikanët duhet të jenë në shërbim të qytetarëve dhe jo e kundërta”, u shpreh Kelmendi.
Sipas tij, partitë politike duhet të jenë më afër qytetarëve dhe të shmangin ngarkimin e tyre me aktivitete të mëdha elektorale, veçanërisht gjatë periudhave me temperatura të larta.
Gjatë intervistës, Kelmendi ngriti shqetësime edhe për mënyrën e financimit të partive politike në Kosovë. Ai tha se partitë parlamentare përfitojnë mjete të konsiderueshme financiare në bazë të numrit të deputetëve që kanë në Kuvend, ndërsa partitë joparlamentare, sipas tij, përballen me pengesa dhe kosto të larta për pjesëmarrje në zgjedhje.
“Ligji i diskriminon partitë joparlamentare. Ne duhet të paguajmë kosto për garën zgjedhore dhe të sigurojmë nënshkrimet e nevojshme, ndërsa partitë parlamentare përfitojnë mbështetje të vazhdueshme financiare nga buxheti”, deklaroi ai.
Kelmendi shtoi se sundimi i drejtësisë mbetet shtylla kryesore e programit të Partisë Fjala, duke argumentuar se legjislacioni aktual favorizon partitë e mëdha dhe jo barazinë në garën politike.

