Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula, së bashku me menaxherin e projektit strategjik “Mbrojtja e votës”, Besim Kusari, zhvilluan një takim pune me përfaqësues të lartë të Policisë së Kosovës, lidhur me mbarëvajtjen dhe sigurinë e procesit zgjedhor.
Në takim morën pjesë edhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Fehmi Hoti, kolonel Florie Hajra nga Departamenti i Hetimeve dhe nënkolonel Arbnesh Ajvazi nga Departamenti i Rendit Publik.
Sipas njoftimit, takimi u fokusua në planifikimin, vlerësimin dhe koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta ndërmjet Prokurorit të Shtetit dhe Policisë së Kosovës, me qëllim garantimin e një procesi zgjedhor të rregullt dhe të sigurt.
Prokurorja Pula bëri të ditur se janë caktuar tashmë ekipet kujdestare nga sistemi prokurorial, të cilat do të trajtojnë çdo parregullsi të mundshme gjatë procesit zgjedhor. Po ashtu, Policia e Kosovës ka aktivizuar ekipet e saj kujdestare për të siguruar rendin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
Në takim u theksua gjithashtu se janë pranuar informacione për raste ku disa qytetarë, kryesisht nga diaspora, kanë fotografuar ose incizuar votën e tyre gjatë votimit me postë dhe më pas i kanë publikuar në rrjete sociale.
Autoritetet njoftuan se disa persona tashmë janë identifikuar dhe janë në proces verifikimi dhe trajtimi të rasteve të tilla.
Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës kanë paralajmëruar se çdo shkelje e tillë do të trajtohet sipas ligjit dhe autorët do të mbajnë përgjegjësi.
Gjithashtu, qytetarët janë ftuar që të respektojnë rregullat zgjedhore dhe të mos e bëjnë publike votën e tyre në asnjë formë.
Në përfundim të takimit, të dy institucionet rikonfirmuan përkushtimin e tyre për bashkërendim të vazhdueshëm dhe reagim të shpejtë ndaj çdo parregullsie gjatë gjithë procesit zgjedhor

