Policia e Kosovës ka raportuar dy raste të vjedhjeve të rënda në Fushë Kosovë dhe Podujevë, ku në njërin rast janë arrestuar tre persona të dyshuar, ndërsa në tjetrin po vazhdojnë hetimet për identifikimin e autorëve.
Në Fushë Kosovë, pas hetimeve të zhvilluara, më 2 qershor 2026 janë identifikuar dhe arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë, të cilët dyshohet se në bashkëveprim kanë vjedhur materiale të ndryshme sanitare nga depot e dy ankuesve. Sipas policisë, vlera e dëmit të shkaktuar është e konsiderueshme.
Me vendim të prokurorit, dy nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari i tretë është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, në Podujevë, një qytetar ka raportuar se persona të panjohur kanë depërtuar në shtëpinë e tij dhe kanë vjedhur një sasi stolish prej ari dhe argjendi, si dhe katër armë zjarri për të cilat posedonte leje përkatëse.
Bëhet fjalë për dy pistoleta, një pushkë gjuetie dhe një armë gjysmë-automatike. Gjatë ekzaminimit të rastit, policia ka gjetur një pjesë të stolive të arta, të cilat i janë kthyer pronarit.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të përfshirë po vazhdojnë nga njësitet relevante policore.

