Nën organizimin e Gjykatës Supreme të Kosovës dhe me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, po zhvillohet sot takimi ndërinstitucional i krerëve të gjyqësorit dhe prokurorisë, me fokus në avancimin e praktikave gjyqësore dhe prokuroriale.
Takimi është i përqendruar në trajtimin e çështjeve që lidhen me paraburgimin, sekuestrimin dhe konfiskimin, si dhe në harmonizimin e praktikës gjyqësore dhe prokuroriale ndërmjet institucioneve të drejtësisë.
Takimi u hap me fjalët përshëndetëse të Kryetarit të Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, si dhe Ambasadorit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk.
Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërinstitucional ndërmjet gjyqësorit dhe prokurorisë, duke vlerësuar se një koordinim i tillë është thelbësor për garantimin e sundimit të ligjit dhe forcimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.
Ai shtoi se forumet e përbashkëta profesionale mundësojnë identifikimin e sfidave praktike, shkëmbimin e përvojave dhe gjetjen e zgjidhjeve që rrisin efikasitetin dhe cilësinë e vendimmarrjes në sistemin gjyqësor.
Rexhepi falënderoi Misionin e OSBE-së dhe ambasadorin McGurk për mbështetjen e vazhdueshme ndaj sistemit të drejtësisë, duke theksuar se përmes dialogut profesional dhe koordinimit institucional sigurohet zbatim më i njëtrajtshëm i ligjit, respektim i standardeve kushtetuese dhe ndërkombëtare, si dhe forcim i pavarësisë dhe integritetit të sistemit të drejtësisë.
Në kuadër të takimit, gjyqtarët e Gjykatës Supreme prezantuan të gjeturat nga punëtoritë e zhvilluara me gjykatat themelore dhe Gjykatën e Apelit, ku u evidentuan sfidat dhe praktikat e hasura në trajtimin e rasteve të paraburgimit.
Më pas u zhvillua një diskutim mbi zbatimin e standardeve ligjore dhe jurisprudencës relevante në fushën e paraburgimit, si dhe një debat i hapur ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve pjesëmarrëse.
Pjesa e dytë e takimit i kushtohet çështjeve të sekuestrimit dhe konfiskimit, ku pritet të diskutohen problematikat e identifikuara në praktikë.
Nga ky takim pritet të dalin konkluzione dhe rekomandime konkrete për avancimin e praktikës gjyqësore dhe prokuroriale, me synim forcimin e sundimit të ligjit dhe rritjen e efikasitetit të sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës.

