Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim të ngarkuarën me punë të Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, me të cilën ka diskutuar për vizitën e saj të fundit në SHBA, takimet me zyrtarë të lartë të administratës amerikane dhe zhvillimet e fundit në vend.
Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani ka shprehur mirënjohje për ftesën e presidentit amerikan, Donald Trump, që Kosova të jetë shtet bashkëthemelues i Bordit të Paqes, si dhe për garancat e dhëna për paqen dhe stabilitetin në rajon. Ajo ka rikonfirmuar përkushtimin e Kosovës për angazhim dhe kontribut të vazhdueshëm në këtë drejtim.
Presidentja ka veçuar edhe takimin me Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, ku, sipas saj, është diskutuar për avancimin e partneritetit strategjik Kosovë–SHBA, me theks në sigurinë rajonale, diplomacinë, ekonominë dhe mbrojtjen. Osmani ka ritheksuar rëndësinë e pranisë ushtarake amerikane dhe të aleatëve në kuadër të NATO, duke nënvizuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet objektiv strategjik për paqe afatgjatë.
Në takim është diskutuar edhe për zhvillimet e fundit politike në vend, me fokus në përmbylljen e proceseve kushtetuese dhe konsolidimin institucional.
Duke folur për situatën në veri, Osmani ka theksuar përmirësimet në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit, duke iu referuar raporteve të fundit të Policia e Kosovës për vitin 2025, të cilat, sipas saj, konfirmojnë një situatë më të qetë dhe më të sigurt për qytetarët në atë pjesë të vendit.

