Në Vjenë të Austrisë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi takim bilateral me kancelarin e Republikës Federale të Austrisë, Christian Stocker, në prag të Forumit Ekonomik të Vjenës. Në një intervistë për RTK-në, Kurti tha se Austria mbetet një nga aleatet më të rëndësishme të Kosovës dhe një mbështetëse e vazhdueshme e integrimeve evropiane të vendit.
Ai e falënderoi kancelarin Stocker për përkrahjen e Austrisë ndër vite, duke kujtuar se Austria ishte shteti i parë që njohu diplomat e Universiteti i Prishtinës në fillim të viteve ’90 dhe se ka ndihmuar Kosovën në fusha të ndryshme, nga siguria dhe demokratizimi deri te arsimi dhe integrimet evropiane.
Kurti theksoi se Kosova e sheh Austrinë si një partner serioz dhe mik të qëndrueshëm, me të cilin synon të thellojë bashkëpunimin ekonomik, investimet dhe shkëmbimet tregtare. Ai vlerësoi gjithashtu mbështetjen austriake për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë Këshilli i Evropës.
“Unë gjithashtu shpreha mirënjohjen time për mbështetjen e Austrisë sa i përket përpjekjes së Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, për çfarë ne i kemi përmbushur të gjitha obligimet dhe madje e kemi realizuar me sukses votimin me mbi 82% në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Tash vetëm ka ngelur që Kosova të futet aty në agjendë dhe të bëhet një ditë anëtare”, theksoi Kurti.
Duke folur për perspektivën evropiane të Kosovës, Kurti kërkoi që, pas heqjes së masave të Bashkimit Evropian, vendi të avancojë drejt marrjes së statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Ndërkaq për integrimet evropiane, meqenëse janë bërë më shumë se tre vjet që kemi aplikuar për t’u integruar në Bashkimin Evropian, përkatësisht kemi dorëzuar aplikacionin për anëtarësim, në Pragë, tash është radha që pas heqjes së masave të padrejta të Bashkimit Evropian të marrim statusin e vendit kandidat dhe çeljen e negociatave, që për ne janë jo më pak të rëndësishme se vetë anëtarësimi, meqenëse na ndihmojnë ta reformojmë sistemin gjyqësor, ta reformojmë administratën publike, por edhe aspektet e tjera të jetës sociale, politike e institucionale në Kosovë”, deklaroi kryeministri në detyrë.
Ai tha se, në kuadër të Forumit Ekonomik të Vjenës, Kosova po promovon mundësitë për investime në projekte strategjike, përfshirë hekurudhat, digat, gazifikimin, stadiumet, turizmin në Brezovica dhe Rugova, si dhe projekte në sektorin e ujërave dhe mbrojtjes së mjedisit. Sipas tij, përvoja dhe afërsia e Austrisë e bëjnë atë një partner të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Kurti gjithashtu shprehu shpresën për thellimin e mëtejmë të raporteve dypalëshe dhe vijimin e vizitave të ndërsjella në nivel të lartë mes dy vendeve.
“Unë shpresoj që edhe kancelari austriak Stocker do të fillojë që ta planifikojë një vizitë në Republikën e Kosovës duke pasur parasysh që parardhësi i tij Karl Nehammer e patë vizituar vendin tonë e besoj që edhe kancelari aktual gjithashtu do të ndjekë këtë rrugë të miqësisë. me Republikën e Kosovës, e cila nënkupton edhe vizitat e ndërsjellta”, theksoi ai.

