Përdorimi i artizanatit dhe kreativitetit nga Pierpaolo Piccioli është i jashtëzakonshëm, dhe një nga shembujt më të mirë ishte koleksioni i modës së lartë Vjeshtë 2023 i Valentino-s.
Në shikim të parë, stili i veshur nga Kaia Gerber dukej i thjeshtë – një këmishë e bardhë dhe xhinse.

Megjithatë, një vështrim më i afërt zbulon se këto “xhinse” nuk ishin aspak xhins, por ishin tërësisht të qëndisura me dorë me mijëra rruaza.

Artizanët e Valentino-s kaluan katër javë duke krijuar iluzionin e xhinseve. Duke përdorur një skanim dixhital 3D të xhinseve të vërteta si udhëzues, ata qëndisën rruazat diagonalisht për të imituar endjen e xhinseve dhe përdorën rreth 80 nuanca të ndryshme mikrorruazash për të evokuar zbehjen, strukturën dhe thellësinë e xhinseve.
Kështu e shndërruan një veshje bazë, siç ishin xhinset, në një kryevepër të modës së lartë.

Ky look hapi koleksionin Valentino Haute Couture Vjeshtë/Dimër 2023–24, të quajtur “Un Château”. Valentino e përshkruan koleksionin përmes idesë së një kështjelle si një hapësirë që mund të rikontekstualizohet, pra të çlirohet nga idetë e vjetra rreth elitës, statusit dhe pushtetit.
Koleksioni i Piccioli-t u ndërtua rreth nocioneve të thjeshtësisë dhe paradoksit. Pikërisht këto pantallona e ilustrojnë mirë këtë koncept – duken si xhinse të përditshme, por në fakt janë një vepër jashtëzakonisht komplekse e modës së lartë.

