Wednesday, June 10, 2026
HomeLajmeKosovëSupremja lë në fuqi vendimin e PZAP-së për gjobitjen e LVV-së

Supremja lë në fuqi vendimin e PZAP-së për gjobitjen e LVV-së

Kolegji i Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kundër vendimit të Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke lënë në fuqi gjobën prej 5.100 eurosh të shqiptuar për shkak të pjesëmarrjes së një fëmije në një aktivitet të fushatës zgjedhore.

PZAP kishte vendosur më 3 qershor 2026 që të pranonte si të bazuara ankesat e paraqitura nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), duke konstatuar se LVV kishte shkelur rregullat zgjedhore përmes angazhimit të një të miture në aktivitet fushate.

Sipas fakteve të administruara në procedurë, më 31 maj 2026, gjatë një tubimi zgjedhor të organizuar nga LVV në Vushtrri, një vajzë 10-vjeçare kishte dalë në skenë para pjesëmarrësve dhe kishte recituar e veshur me veshje që përmbanin logon e subjektit politik.

Në ankesën drejtuar Gjykatës Supreme, LVV kishte argumentuar se e mitura nuk kishte qenë pjesë e programit zyrtar të organizuar nga subjekti politik dhe se paraqitja e saj kishte ndodhur me iniciativë personale, në prani të prindit.

Megjithatë, Gjykata Supreme e hodhi poshtë këtë argumentim, duke mbështetur interpretimin juridik të dhënë nga PZAP.

Në arsyetimin e saj, Gjykata theksoi se neni 5, paragrafi 3 i Rregullores Zgjedhore nr. 07/2024 përcakton qartë se: “Asnjë subjekt politik i certifikuar nuk mund të angazhojë persona nën moshën pesëmbëdhjetë (15) vjeç në fushatën zgjedhore.”

Gjykata vlerësoi se për ekzistimin e shkeljes nuk është relevante nëse iniciativa për pjesëmarrjen e fëmijës ka ardhur nga organizatori apo nga vetë e mitura.

“Për ekzistimin e shkeljes nuk është vendimtare nëse iniciativa për pjesëmarrjen e të miturës ka ardhur nga organizatori apo nga vetë e mitura, si dhe nuk ka rëndësi nëse ka pasur koordinim apo planifikim paraprak. Fakt përcaktues është se organizatori i aktivitetit ka lejuar pjesëmarrjen aktive të një fëmije në një aktivitet zgjedhor, në kundërshtim me ndalimin e paraparë në rregulloren zgjedhore”, thuhet në vendim.

Gjykata ka nënvizuar gjithashtu përgjegjësinë e organizatorit për menaxhimin e aktivitetit dhe kontrollin e personave që paraqiten para publikut gjatë tubimeve zgjedhore.

“Organizatori i tubimit ka përgjegjësi për menaxhimin e aktivitetit dhe për personat që paraqiten në skenë para pjesëmarrësve”, thekson vendimi, duke shtuar se pjesëmarrja aktive e të miturës është vërtetuar nga provat e administruara në lëndë.

Në përfundim, Kolegji i Gjykatës Supreme konstatoi se vendimi i PZAP-së është i drejtë dhe i bazuar në ligj, duke vlerësuar se dispozitat zgjedhore synojnë mbrojtjen e interesit më të mirë të fëmijëve dhe parandalimin e përfshirjes së tyre në fushata zgjedhore.

Me këtë vendim, gjoba prej 5.100 eurosh ndaj LVV-së mbetet në fuqi.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram