Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, priti sot në një takim pune Koordinatoren Kombëtare për Zgjedhje, prokuroren nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Laura Pula.
Sipas njoftimit të Sistemit Prokurorial, Qelaj vlerësoi punën e koordinatores Pula, të të gjithë prokurorëve dhe zyrtarëve të sistemit prokurorial, për mbikëqyrje të procesit zgjedhor.
“U.D. Kryeprokurori Qalaj theksoi se toleranca zero ndaj çdo përpjekjeje për cenimin e vullnetit të qytetarëve dhe reagimi i menjëhershëm ndaj çdo dyshimi për parregullsi kanë dëshmuar vendosmërinë e Prokurorit të Shtetit për të mbrojtur ligjshmërinë, integritetin e zgjedhjeve dhe të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të votuar lirshëm”, thuhet në njoftim.
Pula në anën tjetër njoftoi Qalajn se janë konstatuar shtatëmbëdhjetë raste, të cilat paraqesin elemente të kryerjes së veprave penale kundër të drejtës së votimit. Nga të gjitha këto raste, po atë ditë janë ndaluar pesë persona, ndërsa dymbëdhjetë persona janë liruar në procedurë të rregullt.
“Po ashtu, prokurorja Pula informoi se është duke monitoruar trajtimin e këtyre rasteve nëpër prokuroritë themelore dhe se, deri më tani të gjitha rastet janë duke vazhduar në procedurë të rregullt”, thuhet tutje në njoftim.

