Dogana e Kosovës ka zbuluar afro 20 tonë mall ushqimor me afat të skaduar dhe mbi pesë tonë mallra që mungonin nga stoku i një depoje doganore në rajonin e Mitrovicës. Shkeljet janë konstatuar gjatë një kontrolli të rregullt të zyrtarëve doganorë, ndërsa për rastin janë iniciuar procedura administrative dhe hetimore për të sqaruar rrethanat dhe përgjegjësitë ligjore.
Gjatë kontrollit është verifikuar përmbushja e kushteve dhe detyrimeve që rrjedhin nga autorizimi për ruajtjen e mallrave nën mbikëqyrje doganore. Pas analizimit të dokumentacionit dhe krahasimit të të dhënave elektronike me gjendjen faktike në depo, zyrtarët doganorë kanë konstatuar se një pjesë e mallrave të depozituara kishte tejkaluar afatin e përdorimit.
Bëhet fjalë për 19,875 kilogramë produkt ushqimor me bazë yndyre bimore, për të cilin është konstatuar se afati i përdorimit kishte skaduar. Për këtë rast është njoftuar menjëherë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), zyrtarët e së cilës kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë konfirmuar gjendjen e mallit, duke urdhëruar asgjësimin e tij në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Mallrat me afat të skaduar janë larguar nga depoja doganore dhe janë transferuar sipas procedurave përkatëse në hapësirat e përcaktuara nga Dogana e Kosovës, deri në përfundimin e procedurave të asgjësimit.
Po ashtu, gjatë inventarizimit fizik të stokut, është konstatuar një mospërputhje ndërmjet gjendjes së raportuar dhe asaj faktike. Nga sasia që duhej të gjendej nën mbikëqyrje doganore, mungonin 5,450 kilogramë mall, të cilat nuk janë gjetur në hapësirat e depos doganore gjatë kontrollit.
Dogana e Kosovës ka iniciuar procedurat e mëtejshme administrative dhe hetimore për të sqaruar rrethanat e këtij rasti dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore, në përputhje me dispozitat e Kodit Doganor dhe Akcizave.

