Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) kanë reaguar për siç thonë ata, ndaj diskutimeve në Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) për mundësinë e mbylljes së emisionit “Debat Plus” në RTV Dukagjini.
Sipas AGK-së deklarimi në KPM ku është propozuar që në mbledhjen e radhës të diskutohet mbyllja e emisionit është i papranueshëm dhe përbën sulm ndaj lirisë së medias dhe shprehjes.
AGK vlerëson se KPM nuk ka kompetencë të ndëshkojë mediat për përmbajtje debati apo deklarata të të ftuarve dhe se vendime të tilla, sipas saj, rrezikojnë lirinë mediatike në vend.
Edhe sipas KMShK-së, deklarata e nënkryetares së KPM-së për mbylljen e emisionit ‘Debat Plus’ është e pabazuar në Kodin e Etikës dhe përbën presion të drejtpërdrejtë ndaj mediave.
KMShK thekson se organet rregullatore duhet të veprojnë me kujdes në trajtimin e ankesave dhe të shmangin deklarata që ndikojnë në lirinë e shprehjes dhe pavarësinë e mediave.
Sipas të dy organizatave, AGK dhe KMShK, veprime dhe deklarime të tilla cenojnë parimet e lirisë së medias dhe pluralizmit mediatik në Kosovë, ndërsa u bëjnë thirrje institucioneve që të veprojnë brenda mandatit të tyre ligjor.

