Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se ka nënshkruar të premten kontratat për realizimin e punimeve për sanimin e skarpateve në autostradën Ibrahim Rugova (R7), pas përfundimit të procedurave dhe shqyrtimit të ankesës në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).
Sipas njoftimit të MIT, projekti parasheh ndërhyrje në tri lokacione të ndryshme përgjatë autoudhës: Loti 1: sanimi i rrëshqitjes në km 72.4, me vlerë 2,087,952.94 euro; Loti 2: sanimi i rrëshqitjeve në km 69.1 dhe 63.4, me vlerë 1,187,080.09 eur; Loti 3: sanimi i rrëshqitjes në km 44.0, me vlerë 1,398,964.85 euro.
Vlera totale e projektit arrin në 4 milionë e 673 mijë euro.
Ministria thotë se ky projekt synon të adresojë segmente që kërkojnë ndërhyrje të specializuara, me qëllim rritjen e sigurisë në trafik dhe mbrojtjen e infrastrukturës rrugore.
“Sipas planifikimeve, mobilizimi i operatorëve ekonomikë dhe fillimi i punimeve do të bëhet gjatë ditëve në vijim”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Tutje Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit thekson se nuk ka mundur të ndikojë në vendimmarrje më të shpejtë.
“Sa i përket pretendimeve të ngritura ditëve të fundit lidhur me këtë segment të autoudhës, ritheksojmë se procedurat për projektin përkatës kanë qenë në shqyrtim në OSHP dhe Ministria nuk ka asnjë mundësi ligjore të ndikojë në procesin e vendimmarrjes”, thuhet tutje në njoftim.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit thotë se mbetet e përkushtuar në realizimin e projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë, funksionalitetin dhe qëndrueshmërinë e rrjetit rrugor të Republikës së Kosovës, duke garantuar ndërhyrje të nevojshme në akset me rëndësi strategjike për vendin.

