Thursday, July 9, 2026
HomeLajmeKosovëRikthehet jeta në Burrnik, shtohet interesimi për investime

Rikthehet jeta në Burrnik, shtohet interesimi për investime

Fshati Burrnik i Ferizajt po rikthehet në vëmendje. Me klimën e pastër dhe natyrën tërheqëse, interesimi për investime dhe kthimin e banorëve është rritur dukshëm. Banorët thonë se po ringjallet jeta në fshat, ndërsa shpresojnë që investimet në infrastrukturë të vazhdojnë dhe Burrniku të rikthejë zhvillimin që kishte dikur.

Fshati Burrnik i Ferizajt, i cili ofron një klimë dhe pamje magjepsëse, nga viti në vit po bëhet një fshat më i vizituar. Në këtë fshat, deri para pak vitesh, kishte shumë pak banorë që vazhdonin të qëndronin dhe të jetonin.

Por, vitet e fundit, e sidomos këtë vit, shihet një interesim jo vetëm i burrnikasve, por edhe i të tjerëve për të investuar në këtë anë, duke ndërtuar shtëpi, vila, por edhe duke hapur lokale afariste. Kjo jep shpresë se jeta në Burrnik do të rikthehet si dikur.

Banori Shaban Qeli, i cili thuajse asnjëherë nuk e ka braktisur fshatin, thotë se Burrniku është një vend ideal për të jetuar dhe për të zhvilluar veprimtari të ndryshme si bujqësia, blegtoria dhe turizmi.

“Jam i gëzuar shumë që janë të interesuar edhe fshatarët e tjerë; janë duke ardhur dalëngadalë për të ardhur në Burrnik. Jeta është duke u përmirësuar gjithnjë, është duke shkuar gjithnjë e më mirë. Ja vlen në Burrnik me jetu, se në Burrnik së pari ajri është i pastër, uji është i mirë, të gjitha të mirat janë”, tha .

Edhe banorë të tjerë thonë se Burrniku është fshat me perspektivë të madhe zhvillimi, pasi investimet nuk po mungojnë kohëve të fundit. Azem Qeli, banor, thotë:

“Ne si familje i kemi pasur pronat këtu që nga viti 1994, pastaj kemi shkuar në Ferizaj. Tani, dalëngadalë po e shohim perspektivën, turizmin dhe, siç po e sheh edhe vetë kopshtin që e kam bërë, besoj që shumë shpejt edhe banorët e tjerë kanë me gjetur perspektivë në këtë vend”, tha  Azem Qeli, banor.

Dikur në fshat funksiononte edhe shkolla, por tani është jashtë funksionit për shkak të mungesës së nxënësve.

“Me këtë ritëm të kthimit, me këtë entuziazëm dhe vullnet të banorëve, sigurisht që brenda pak vitesh shkolla do të kthehet përsëri në punë dhe do të rimbushet siç është kthyer edhe xhamia dhe do të frymojë jeta”, tha Fatmir Neziri, banor.

Burrnikasit shpresojnë që do të vazhdojnë edhe investime të tjera në rregullimin e infrastrukturës, si rruga, rryma, ujësjellësi dhe kanalizimi.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram