Wednesday, June 17, 2026
HomeLajmeKosovëTre të arrestuar për falsifikim dokumentesh, Policia sekuestron 50 mijë €

Tre të arrestuar për falsifikim dokumentesh, Policia sekuestron 50 mijë €

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar pas një hetimi disamujor për keqpërdorim të pozitës zyrtare, falsifikim dokumentesh dhe legalizim të përmbajtjes së rreme. Gjatë një operacioni të zhvilluar në Prishtinë, Gjilan dhe Prizren, janë sekuestruar rreth 50 mijë euro para të gatshme, një veturë, një armë pa leje, pajisje elektronike dhe dokumente të ndryshme që lidhen me rastin.

Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), pas një pune hetimore disa mujore, ka zbatuar urdhëresën e Gjykatës Themelore në Ferizaj, ku në koordinim me prokurorin e PTH-Ferizaj dhe në bashkëpunim me njësitë tjera policore, ka kryer urdhërkontroll në tre lokacione të ndryshme në rajonet e Prishtinës, Gjilanit dhe Prizrenit.

Operacioni policor është realizuar me qëllim të sigurimit të provave dhe dëshmive relevante për rastin, pasi dyshohet se disa persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin arritur të falsifikojnë dokumente të ndryshme përmes kryerjes së veprave penale.

Gjatë zbatimit të urdhërkontrollit janë siguruar dhe sekuestruar përkohësisht rreth 50 mijë euro para të gatshme, një veturë, një armë zjarri pa leje, dy shtëpiza kompjuteri, tre telefona mobilë, si dhe disa dëshmi, autorizime, kontrata dhe dokumente të ndryshme që do të jenë pjesë e provave në rast.

Lidhur me rastin janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë për veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” (Neni 414), “falsifikimi i dokumenteve” (Neni 390) dhe “legalizimi i përmbajtjes së rreme” (Neni 395) të KPRK-së.

Të dyshuarit janë shoqëruar në zyrat e njësisë përkatëse për intervistim, janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe, me aktvendim të prokurorit, janë ndaluar për 48 orë.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram