Zyrtarët e Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë realizuar dy raste të suksesshme të zbulimit të substancave narkotike gjatë kontrolleve të automjeteve në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë.
Dogana ka njoftuar se në rastin e parë, gjatë kontrollit të detajuar në vijën e dytë të një automjeti që po hynte në Republikën e Kosovës, zyrtarët doganorë kanë zbuluar 104.90 gram substancë narkotike të dyshuar si kokainë, e cila ishte e fshehur në çantën personale të udhëtarit.
“Substanca është konfirmuar fillimisht përmes testit fushor dhe pajisjes TruNarc, me rezultat pozitiv për kokainë. Pas kontrollit të plotë dhe skanimit të automjetit nuk janë konstatuar parregullsi të tjera. Rasti është proceduar tek njësitë kompetente për hetime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.
Në rastin e dytë, gjatë një kontrolli tjetër në të njëjtën pikë kufitare, zyrtarët doganorë kanë zbuluar 5.53 gram substancë narkotike të dyshuar si kanabis/marihuanë, e fshehur në bagazhin e një automjeti. Gjatë këtij kontrolli është gjetur edhe një thikë kuzhine e padeklaruar. Rasti është trajtuar në koordinim me Policinë e Kosovës dhe organet e hetimit.
Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe trafikimit të substancave narkotike, duke vazhduar kontrollet e shtuara në pikat kufitare në bashkëpunim me institucionet e zbatimit të ligjit.

