Saturday, June 27, 2026
HomeLajmeKosovëKosovë-Shqipëri, nënshkruhen dy marrëveshje për bujqësi e agro-ushqim

Kosovë-Shqipëri, nënshkruhen dy marrëveshje për bujqësi e agro-ushqim

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural i Shqipërisë, Andis Salla dhe ministri në detyrë i Bujqësisë i Kosovës, Armend Muja, kanë nënshkruar dy marrëveshje bashkëpunimi në fushën e bujqësisë dhe sektorit agro-ushqimor, me synim forcimin e bashkëpunimit institucional dhe zhvillimin e përbashkët të sektorit.

Në konferencën e përbashkët për media, ministri Salla tha se marrëveshjet përbëjnë një hap të rëndësishëm në konkretizimin e angazhimeve të mëhershme ndërmjet dy vendeve.

“Nënshkrimi i dy marrëveshjeve të bashkëpunimit nëpërmjet ministrive tona përfaqëson një tjetër dëshmi të marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë nëpërmjet dy vendeve tona, si dhe vullnetin e përbashkët për ta kthyer këtë bashkëpunim në iniciativa konkrete dhe rezultate të prekshme për qytetarët tanë”, tha Andis Salla.

Ai shtoi se marrëveshjet fokusohen në dy fusha kryesore të zhvillimit.

“Këto marrëveshje materializojnë bashkëpunimin tonë në dy drejtime strategjike: së pari në zhvillimin e shërbimeve këshillimore bujqësore, transferimin e teknologjive dhe nxitjen e inovacionit në bujqësi; së dyti në hartimin e një qasjeje të përbashkët për marketingun, promovimin dhe lehtësimin e tregtimit të produkteve agro-ushqimore”, u shpreh Salla.

Sipas tij, bujqësia mbetet sektor strategjik për të dy vendet.

“Bujqësia mbetet një sektor me rëndësi strategjike për dy vendet tona, me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik, rritjen e mirëqenies së komuniteteve rurale, krijimin e vendeve të punës dhe garantimin e sigurisë ushqimore”, theksoi ai.

Nga ana tjetër, ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, tha se marrëveshjet do të ndikojnë në rritjen e bashkëpunimit konkret mes dy vendeve.

“Sot patëm një takim dhe patëm rastin që të nënshkruajmë dy marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi midis dy vendeve tona, me rëndësi të veçantë për shoqëritë tona”, tha Muja.

Ai veçoi dy drejtimet kryesore të marrëveshjeve. “Pikë së pari, marketingun dhe promovimin e produkteve agro-ushqimore… Së dyti, transferimin e teknologjive, inovacionin dhe shërbimet këshillimore për fermerët”, u shpreh ai.

Muja theksoi edhe rëndësinë e bashkëpunimit në sigurinë ushqimore dhe lehtësimin e tregtisë.

“Ne po diskutojmë sa i përket nevojës së forcimit të bashkëpunimit në sferën e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe fitosanitetit… jemi të interesuar që sa më shumë nga Shqipëria të qarkullojnë në Kosovë lirshëm, sikurse edhe ne të avancojmë interesat e prodhuesve tanë atje”, deklaroi ai.

Sipas tij, eksportet bujqësore të Kosovës drejt Shqipërisë janë rritur ndjeshëm.

“Eksportet tona të produkteve bujqësore janë dyfishuar që nga viti 2021 drejt Shqipërisë… Shqipëria është bërë partneri ynë kryesor tregtar edhe në aspektin e produkteve agro-ushqimore”, tha Muja.

Të dy ministrat u shprehën të bindur se marrëveshjet do të ndihmojnë në krijimin e një tregu më të integruar agro-ushqimor mes Kosovës dhe Shqipërisë.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram