Belgjika ka gjetur ritmin në momentin më të rëndësishëm të Kupës së Botës, duke mposhtur bindshëm Zelandën e Re, me rezultat 5-1 dhe duke siguruar kualifikimin në fazën me eliminim direkt si lidere e Grupit G.
Leandro Trossard ishte figura kryesore e belgëve, duke shënuar dy gola në fitoren e madhe të skuadrës së Rudi Garcias. Për Belgjikën realizuan edhe Kevin De Bruyne, Romelu Lukaku dhe Alexis Saelemaekers.
Kjo fitore erdhi pas një nisjeje jo bindëse të Belgjikës në Botëror, ku kishte barazuar 1-1 me Egjiptin dhe 0-0 me Iranin. Megjithatë, në ndeshjen vendimtare, belgët treguan forcën e tyre sulmuese dhe morën vendin e parë në grup.
“Mendoj se edhe në dy ndeshjet e para i kishim rastet, por nuk i shfrytëzuam. Ishte e rëndësishme që sot i konkretizuam. Është gjithmonë bukur të shënosh shumë gola dhe jemi shumë të lumtur që kaluam tutje nga vendi i parë”, deklaroi Trossard pas ndeshjes.
Trossard hapi serinë e golave në minutën e 28-të, ndërsa të dytin personal e realizoi në fillim të pjesës së dytë. Më pas, De Bruyne shënoi një gol të bukur nga distanca në minutën e 66-të, duke e vendosur ndeshjen nën kontroll të plotë të Belgjikës.
Zelanda e Re arriti të shënonte golin e nderit në minutën e 84-të me Elijah Just, por Belgjika reagoi menjëherë. Lukaku realizoi me kokë dy minuta më vonë, ndërsa Saelemaekers vulosi fitoren në kohën shtesë.
Me këtë rezultat, Belgjika e mbyll Grupin G në vendin e parë dhe në raundin tjetër do të përballet me një nga skuadrat e vendit të tretë. Ndeshja do të zhvillohet të mërkurën në Seattle.
Trajneri Rudi Garcia u tregua i kujdesshëm pas ndeshjes, duke mos dashur të flasë para kohe për fazat e mëtejshme.
“Së pari duhet ta fitojmë ndeshjen e radhës. Ende nuk e di kundër kujt do të luajmë, prandaj do të ishte mungesë respekti të flasim për raundin pasues”, tha Garcia.
Për Zelandën e Re, ky ishte fundi i rrugëtimit në Botëror.

