Egjipti ka shkruar histori në Kupën e Botës 2026, duke siguruar për herë të parë kualifikimin në fazën me eliminim direkt.
“Faraonët” barazuan 1-1 me Iranin në ndeshjen e fundit të Grupit G dhe e mbyllën këtë fazë në vendin e dytë me pesë pikë, aq sa kishte edhe Belgjika, e cila doli e para në grup falë golaverazhit më të mirë.
Egjipti e nisi furishëm ndeshjen, duke kaluar në epërsi që në minutën e pestë me golin e Mahmoud Saber. Megjithatë, Irani reagoi shpejt dhe barazoi në minutën e 14-të përmes Ramin Rezaeian.
Në vazhdim, të dyja skuadrat kërkuan golin që mund ta ndryshonte fatin e grupit. Irani madje arriti të shënonte në fund të takimit, por goli u anulua për pozitë jashtë loje, duke ia ruajtur Egjiptit rezultatin që i siguroi kualifikimin historik.
Ky sukses vjen vetëm pak ditë pasi Egjipti kishte arritur edhe fitoren e parë në histori në një Kupë Bote, duke mposhtur Zelandën e Re me rezultat 3-1.
Megjithatë, festa e Egjiptit u shoqërua edhe me shqetësim për gjendjen e Mohamed Salahut. Kapiteni i Egjiptit u zëvendësua në minutën e 57-të pas një problemi në gjurin e majtë.
Trajneri Hossam Hassan tha pas ndeshjes se gjendja e Salah do të vlerësohet nga stafi mjekësor, por shtoi se vetë lojtari e ka siguruar se nuk bëhet fjalë për një lëndim të rëndë.
“Kam folur me Salah dhe ai më tha se do të jetë mirë. Nuk mendoj se është një lëndim i madh”, deklaroi Hassan.
Mungesa eventuale e Salahut do të ishte goditje e madhe për Egjiptin, pasi ylli i skuadrës ka qenë ndër lojtarët kryesorë të “Faraonëve” në këtë Botëror, me një gol dhe dy asistime.
Në fazën nokaut, Egjipti do të përballet me Australinë, në një tjetër sfidë historike.

