E diela ka qenë aktive për një numër të ushtarëve të KFOR-it në Kosovë.11 ekipe nga 9 vende të ndryshme që kontribuojnë në misionin e NATO-s kanë marrë pjesë në “Wolverine Challenge” që është mbajtur në kampin e Novosellës.
Sipas një njoftimi të këtij misioni, kjo ka qenë një garë e vështirë që teston qëndrueshmërinë dhe forcën.Në këtë garë përfshihen vrapimi, ngritja e peshave, ushtrimet me peshën e trupit dhe shtytje e tërheqje të automjeteve ushtarake.KFOR-i ka njoftuar se Lituania e ka zënë vendin e parë, e pasuar nga Sllovakia dhe Letonia.
Sipas njoftimit, aktivitete trajnimi të tilla ndihmojnë në forcimin e ndërveprimit, nxisin kohezionin midis personelit shumëkombësh dhe rrisin gatishmërinë operacionale të nevojshme për të mbështetur misionin e KFOR-it dhe për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.

