Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me vrasjen e rëndë që ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në Ferizaj, ku një person është gjetur pa shenja jete në një banesë në rrugën “Sejdi Sejdiu”.
Sipas njoftimit të Policisë Rajonale të Ferizajt, rasti është raportuar rreth orës 22:50. Menjëherë pas marrjes së informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, hetuesit e stacionit, Njësia e Reagimit të Shpejtë, hetuesit rajonalë, krim-teknikët dhe prokurori i shtetit për Krime të Rënda.
Viktima është identifikuar me inicialet F.H., 32-vjeç, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij në vendin e ngjarjes.
Sipas policisë, gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, hetuesit kanë konstatuar një plagë që dyshohet se është shkaktuar nga arma e zjarrit. Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë dhe një gëzhojë.
“Sipas hetimeve fillestare, ngjarja ka ndodhur në banesën e M.B., 48-vjeç, ku në momentin e incidentit ndodheshin edhe bashkëshortja e tij dhe vajza A.R., 24-vjeçe. Kjo e fundit ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Tutje policia njofton se, pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes, ekziston dyshimi i bazuar se rasti ndërlidhet me veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Me vendim të prokurorit të rastit, i dyshuari M.B. është ndaluar për 48 orë. Po ashtu, edhe ndaj A.R. është lëshuar vendim për ndalim prej 48 orësh, megjithatë ajo vazhdon të mbetet nën trajtim mjekësor në QKUK.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa sektori i Hetimeve Rajonale, në koordinim dhe autorizim të prokurorit të shtetit, është duke ndërmarrë veprime intensive hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.

