Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë ka njoftuar se gjatë javës së kaluar ka realizuar një sërë aktivitetesh policore në kuadër të zbatimit të ligjit dhe rritjes së sigurisë.
Sipas komunikatës, në lokacione të ndryshme dhe përmes aksioneve të ndara janë ekzekutuar gjithsej 105 urdhëresa të gjykatës, prej të cilave 33 kanë qenë për vepra penale, ndërsa pjesa tjetër kanë pasur të bëjnë me kundërvajtje, seanca gjyqësore, verifikime dhe procedura të tjera.
Policia bëri me dije se, në përputhje me urdhëresat e gjykatës, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtjen e dënimit, ndërsa ata që ishin dënuar me gjobë janë liruar pasi kanë përmbushur obligimet e përcaktuara në urdhëresa.
“Aktivitetet policore janë shtrirë edhe në segmente të tjera të sigurisë. Kësisoj në harkun e njëjtë kohor janë sekuestruar 13 armë zjarri, të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe municione të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, edhe kontrollet në trafikun rrugor kanë vazhduar me intensitet. Brenda javës, zyrtarët policorë kanë shqiptuar 3,917 masa administrative me gjobë për shkelje të ndryshme të rregullave të trafikut. Prej tyre, 396 kundërvajtje janë evidentuar përmes veturës inteligjente dhe veturës së pajisur me radar mobil.
Po ashtu policia ka njoftuar se aktivitetet e tilla do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me synim rritjen e sigurisë publike dhe zbatimin e ligjit.

