Këshilli Gjyqësor i Kosovës në mbledhjen që ka mbajtur sot ka autorizuar kryetarët e pesë Gjykatave, Supremes, Apelit, Administratives, Komerciales dhe Gjykatës Themelore që të ndërmarrin masa për shkak të temperaturave të larta që po mbizotërojnë në Pallatin e Drejtësisë.
Vendimi u jep kompetencë kryetarëve të këtyre gjykatave që, bazuar në vlerësimin e kushteve të punës, të vendosin për reduktimin ose pezullimin e përkohshëm të aktivitetit deri në përmirësimin e situatës.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Rrustem Thaçi, tha se vendimi do të zbatohet në varësi të vlerësimit që do të bëjnë drejtuesit e gjykatave.
Ai e cilësoi situatën në Pallatin e Drejtësisë si alarmante dhe të papranueshme, duke theksuar se temperaturat e larta po rrezikojnë shëndetin e punonjësve.
Sipas KGJK-së në mbledhjen e 370-të me radhë, janë shqyrtuar dhe miratuar disa pika të rendit të ditës.

