16-vjeçari që sulmoi nxënësit me thikë në një shkollë të mesme në qytetin bavarez Schongau këtë mëngjes është shtetas kroat, konfirmoi Ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joachim Herrmann.
“I dyshuari ka shtetësi kroate dhe jetonte me prindërit e tij”, tha Herrmann.
Ministri deklaroi gjithashtu se i dyshuari kishte marrë më parë trajtim psikiatrik, por nuk konfirmoi pretendimet se ai ishte një ish-nxënës në shkollën e mesme në Schongau, ku ndodhi sulmi.
Sipas informacioneve të deritanishme, dy vajza trembëdhjetëvjeçare u plagosën rëndë në sulmin me thikë. Ende nuk dihet nëse të dyshuarit dhe viktimat ishin në ndonjë lloj marrëdhënieje.
“Ka indikacione se i dyshuari ka tërhequr më parë vëmendjen për kërcënime me dhunë”, tha Herrmann.
Pas sulmit, i dyshuari 16-vjeçar u arrestua shpejt. Përveç thikës, atij iu gjet edhe një armë.
Policia mori një raport për sulmin rreth orës 12:50 të pasdites, pas së cilës të gjitha forcat e disponueshme u dërguan në shkollën në jugperëndim të Mynihut. Incidenti ndodhi gjatë mësimit të rregullt.
Sipas mediave gjermane, vajzat pësuan plagë nga thikë, por pavarësisht ashpërsisë së lëndimeve të tyre, jeta e tyre nuk është në rrezik.
Motivi i sulmit është aktualisht i panjohur. Autori i krimit u largua për pak kohë nga vendi i ngjarjes pas sulmit, por u arrestua shpejt. Në kërkim mori pjesë edhe një helikopter policie.
“Sipas informacioneve të deritanishme, supozojmë se bëhet fjalë për një autor të vetëm. Nuk ka indikacione se në ngjarje kanë marrë pjesë më shumë se një person”, njoftoi Policia e Bavarisë së Epërme Jugore nëpërmjet rrjetit social X.
Hetuesit po përcaktojnë nëse i dyshuari është një nxënës aktual apo ish-nxënës në shkollën e mesme Schongau.

