Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur gjykimi ndaj Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, të akuzuar për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit në nëntor të vitit 2023. Të dy të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm, njësoj si në seancën fillestare.
Prokuroria Speciale ka deklaruar se provat e mbledhura dëshmojnë përfshirjen e të akuzuarve në veprat penale për të cilat ngarkohen. Prokurori Bekim Kodraliu tha se hetimet kanë treguar se Qeveria e Serbisë ka pasur rol në përgatitjet e sulmit.
Sipas Prokurorisë, gjatë hetimeve janë sekuestruar armë, municion, pajisje ushtarake, mjete komunikimi dhe prova të tjera materiale. Gjithashtu, analizat forenzike, përfshirë ato të ADN-së dhe ekspertizat e tjera, sipas prokurorisë, lidhen me të akuzuarit dhe vendin e ngjarjes.
Avokatët mbrojtës i kanë kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë, duke kërkuar që gjykata të jetë objektive dhe duke pretenduar se aktakuza nuk paraqet qartë veprimet konkrete të klientëve të tyre.
Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, së bashku me Igor Dimoviqin, akuzohen për rrezikim të rendit kushtetues, kryerje të veprës terroriste dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa Jovan Viqentijeviq akuzohet edhe për spiunazh.
Sulmi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të Zubin-Potokut ndodhi në nëntor të vitit 2023, duke shkaktuar dëmtime në një infrastrukturë jetike për furnizimin me ujë dhe energji në Kosovë.

