Presidentja e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Annalena Baerbock, foli me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, e cila po mbahet në ndërtesën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
Baerbock tha se premtimi “kurrë më” duhet të shndërrohet në veprime konkrete, duke paralajmëruar se gjenocidi nuk fillon me vrasje masive, por me përhapjen e urrejtjes dhe diskriminimit.
“Ne përkujtojmë vrasjen e 8,000 burrave dhe djemve në Srebrenicë, të cilët u vranë thjesht sepse ishin myslimanë boshnjakë. Dhjetëra mijëra njerëz u dëbuan, u torturuan dhe u ndanë nga shtëpitë dhe të dashurit e tyre”, tha Baerbock.
Ajo kujtoi se gjenocidi ndodhi pavarësisht garancive ndërkombëtare për mbrojtje.
“Gjenocidi në Srebrenicë ndodhi pavarësisht premtimit se Holokausti nuk do të ndodhte më kurrë, pavarësisht Konventës së Gjenevës dhe pavarësisht faktit që Srebrenica u shpall zonë e sigurt nga Kombet e Bashkuara”, tha ajo.
Ajo theksoi se nuk është e mundur të kthehen viktimat ose të zhbëhen krimet e kryera, por se bashkësia ndërkombëtare duhet të përmbushë premtimet e dhëna të mbijetuarve.
Ajo iu referua veçanërisht vuajtjeve të grave gjatë luftës, duke theksuar se dhuna seksuale dhe përdhunimi ishin një pjesë integrale e politikës së spastrimit etnik.
“Ata jo vetëm që humbën bijtë dhe gratë e tyre, por mbijetuan edhe përdhunimin sistematik të bijave dhe mbesave të tyre si pjesë e spastrimit etnik, të cilat tani jetojnë me plagët e përjetshme të dhunës seksuale. Çdo gjenocid kryhet përmes trupave të grave”, tha Baerbock.
Duke folur për përgjegjësinë e shteteve pas luftës, ajo deklaroi se respektimi i premtimeve të dhëna nënkupton forcimin e ligjeve dhe institucioneve që mbrojnë të drejtat e viktimave.
“Në Bosnjë dhe Hercegovinë, reformat ligjore i njohën fëmijët e lindur si pasojë e përdhunimit si viktima civile të luftës dhe zgjeruan aksesin e tyre në programet sociale. Në disa komuna, u miratuan ligje që hoqën nevojën që emri i babait të shfaqej në dokumentet zyrtare, duke mbrojtur kështu të drejtat dhe dinjitetin e këtyre viktimave të dhunës seksuale”, tha ajo.
Ajo shtoi se kjo përfaqëson përmbushjen e premtimit se krime të tilla nuk do të ndodhin më kurrë.
“Ky është përmbushja e premtimit tonë se kjo nuk do të ndodhë më kurrë. Respektimi i viktimave do të thotë gjithashtu respektim i vendimeve historike të Tribunalit Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë, të cilat kontribuan që dhuna seksuale në luftë të konsiderohet krim lufte dhe që fajtorët të vihen para drejtësisë”, tha Baerbock.
Në pjesën e fundit të fjalimit të saj, ajo paralajmëroi se bashkësia ndërkombëtare duhet të reagojë shumë kohë përpara se të ndodhin krime masive.
“Më e rëndësishmja, respektimi i premtimit tonë se gjenocidi nuk do të ndodhë përsëri do të thotë përballje me shenjat paralajmëruese përpara se ato të përshkallëzohen në gjenocid dhe krime lufte”, tha ajo.
Ajo kujtoi se si Srebrenicës ashtu edhe Ruandës i paraprinë të njëjtat modele ndarjeje dhe dehumanizimi.
“Siç mundëm ta shihnim për fat të keq 31 vjet më parë në Srebrenicë dhe Ruandë, gjenocidi nuk fillon me varre masive, por me urrejtje dhe diskriminim si një mënyrë për të ndarë njerëzit në grupe ‘ne kundër tyre’. Është një politikë dhe retorikë që kërkon t’i privojë njerëzit nga dinjiteti i tyre. Vënia në dyshim e të drejtave të njerëzve vetëm për shkak se kush janë, nga vijnë dhe cila është feja e tyre, çon në të njëjtin qëllim – dehumanizimin, i cili përfundimisht përfshin të gjithë”, paralajmëroi ajo.
Së fundmi, ajo tha se përkujtimi i gjenocidit duhet të shoqërohet me veprime konkrete.
“Sot, duhet të sigurohemi që ‘kurrë më’ të mos jetë thjesht një frazë që e përsërisim, por një premtim që e respektojmë. Një premtim që e kujtojmë, se u sjellim drejtësi dhe dinjitet të gjithëve dhe se do të veprojmë kur të shohim shenjat paralajmëruese”, përfundoi Baerbock.

