Sunday, July 12, 2026
HomeLajmeKosovëShoqata e Qumështit: Masat në sektor kanë nisur të japin rezultate

Shoqata e Qumështit: Masat në sektor kanë nisur të japin rezultate

Masat e ndërmarra nga Ministria e Bujqësisë kanë filluar të japin rezultatet e para në sektorin e qumështit, pasi pjesa më e madhe e qumështit të prodhuar nga fermerët tashmë po grumbullohet.

Megjithatë, sipas Shoqatës së Qumështit, problem mbetet situata në Podujevë dhe Vushtrri, ku rreth 35 fermerëve në Podujevë dhe rreth 30 fermerëve në Vushtrri ende nuk u grumbullohet qumështi. Sipas të dhënave nga terreni, bëhet fjalë për rreth 5 deri në 6 tonë qumësht që vazhdon të mbetet pa u grumbulluar.

Shoqata u ka bërë thirrje përpunuesve të qumështit që operojnë në këto zona të ndërhyjnë dhe të grumbullojnë edhe këtë sasi, në mënyrë që i gjithë qumështi i prodhuar nga fermerët të mos mbetet pa treg.

Sipas saj, kërkesa për qumësht pritet të rritet ndjeshëm në periudhën e ardhshme, gjë që do të rrisë edhe nevojën për zgjerimin e prodhimit në fermat vendore. Shoqata pret që Ministria e Bujqësisë të vazhdojë zbatimin e masave dhe vendimeve të planifikuara për mbështetjen e sektorit.

Megjithatë, ajo thekson se sfida të mëdha vazhdojnë të mbeten çmimi i ulët i grumbullimit të qumështit dhe vonesat në pagesa, të cilat, sipas saj, në disa raste arrijnë deri në gjashtë muaj ose edhe më shumë.

Shoqata përsëriti gjithashtu kërkesën për ndalimin e përdorimit të vajit të palmës dhe qumështit pluhur në fabrikat e përpunimit të qumështit, duke e cilësuar këtë si një hap të domosdoshëm për stabilizimin e sektorit, mbrojtjen e prodhimit vendor dhe rikthimin e besimit të konsumatorëve.

“Mbrojtja e industrisë është jo vetëm mbrojtje e fermerit, por edhe e konsumatorit dhe e shtetit të Kosovës”, thuhet në reagimin e Shoqatës së Qumështit.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram