Sunday, August 23, 2026
HomeLajmeKosovëAktakuzë ndaj gjashtë personave për shitblerje të narkotikëve

Aktakuzë ndaj gjashtë personave për shitblerje të narkotikëve

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave, të identifikuar me inicialet S.K., A.K., F.F., L.A., A.F. dhe D.G., nën dyshimin për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Ndaj të pandehurit A.K. është ngritur aktakuzë edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas Prokurorisë, S.K. akuzohet se më 29 janar 2026, në Suharekë, kishte poseduar me qëllim shitjeje rreth 26.6 gramë marihuanë, e cila u sekuestrua gjatë kontrollit dhe u konfirmua me ekspertizë forenzike.

A.K. dyshohet se, nga shtatori 2025 deri më 29 janar 2026, ka shpërndarë dhe ofruar për shitje kokainë. Gjatë kontrolleve, autoritetet sekuestruan rreth 465 gramë marihuanë, rreth 3.3 gramë kokainë, një substancë të lëngët të dyshuar narkotike, peshore digjitale, grinder, 2,200 euro, si dhe një pistoletë të tipit M57 me një karikator dhe katër fishekë, të cilat, sipas aktakuzës, mbaheshin pa autorizim.

Sipas aktakuzës, F.F. akuzohet se gjatë së njëjtës periudhë ka shpërndarë dhe ofruar për shitje kokainë, ndërsa gjatë kontrollit iu sekuestruan një peshore digjitale dhe dy automjete, të cilat dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprës penale.

Ndërkaq, L.A., A.F. dhe D.G. akuzohen se, duke vepruar në bashkëkryerje nga shtatori deri në nëntor 2025, kanë shpërndarë dhe ofruar për shitje kokainë në Suharekë dhe zona të tjera. Sipas Prokurorisë, gjatë një rasti u sekuestruan mbi 300 gramë kokainë, e cila ishte hedhur nga automjeti gjatë largimit nga vendi i ngjarjes.

Prokurori i rastit ka kërkuar konfiskimin e rreth 740 gramëve substanca narkotike, përfshirë mbi 400 gramë marihuanë dhe mbi 330 gramë kokainë, si dhe të armës, municionit, tre automjeteve, 2,200 eurove dhe 500 frangave zvicerane, si dobi e dyshuar e përfituar nga veprat penale.

Prokuroria i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram