Në kuadër të 98-vjetorit të Shërbimit Veterinar Shqiptar, u zhvillua një konferencë shkencore me përmasa evropiane, e cila mblodhi mbi 200 mjekë veterinarë nga Shqipëria dhe rajoni, si dhe rreth 50 të ftuar nderi nga institucione kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ky aktivitet shënoi një moment reflektimi mbi historinë 98-vjeçare të shërbimit veterinar, por edhe një angazhim të fortë për të ardhmen e profesionit, duke theksuar rolin kyç të mjekësisë veterinare në garantimin e shëndetit të kafshëve, shëndetit publik dhe mbrojtjes së mjedisit.
Gjatë konferencës u trajtuan tema aktuale dhe sfida madhore të sektorit, duke u fokusuar në zhvillimin shkencor, përmirësimin e praktikave profesionale, rritjen e standardeve të sigurisë ushqimore dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar.Në këtë ngjarje jubile, Kryetari i Akademisë së Shkencave shprehu gatishmërinë për të nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Urdhrin Profesional të Mjekut Veterinar të Shqipërisë, duke hapur një kapitull të ri bashkëpunimi mes shkencës dhe praktikës profesionale.
Kryetari i Veterinerëve të Shqipërisë, z. Ervin Resuli, vlerësoi kontributin e të gjithë pjesëmarrësve dhe theksoi se:
“Ky jubile nuk është vetëm një moment për të festuar të shkuarën, por mbi të gjitha një përgjegjësi për të ndërtuar të ardhmen. Mjekësia veterinare është shkencë e jetës dhe ne kemi detyrimin ta çojmë atë përpara me profesionalizëm, dinjitet dhe vizion evropian.”Në përfundim, organizatorët shprehën mirënjohje të veçantë për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Universitetin Bujqësor të Tiranës, Fakultetin e Mjekësisë Veterinare, Akademinë e Shkencave, si dhe partnerët ndërkombëtarë dhe evropianë që kontribuuan në suksesin e kësaj konference.

