“Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës nuk është votuar kundër dhe nuk ka dështuar. Përkundrazi, që nga 12 maji i vitit 2022 janë bërë përparime të rëndësishme përgjatë procesit të anëtarësimit”. Kështu thuhet në një komunikatë për media lëshuar nga Ministra e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës.
Sipas MPJD-së, në muajin shtator të vitit 2022, nga vet sekretariati i Këshillit të Evropës është dhënë interpretim ligjor mbi aplikimin e Republikës së Kosovës, i cili konfirmon qartë, sipas MPJD-së, se nuk ka asnjë pengesë ligjore për anëtarësimin e Republikës së Kosovës si anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.
“Nga lobimi i përbashkët me delegacionin e Parlamentit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për herë të parë në historinë tonë është siguruar e drejta e fjalës për delegacionin e Republikës së Kosovës dhe kjo e drejtë është shfrytëzuar përgjatë sesionit vjeshtor të Asamblesë Parlamentare”, thuhet më tej në njoftim.
Para dorëzimit të aplikimit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës thotë se është koordinuar me të gjithë partnerët ndërkombëtar dhe “përgjatë lobimit të pandërprerë ka siguruar mbështetjen të gjerë për ta kaluar fazën e parë të procesit të anëtarësimit”.
Kjo situatë, siç thuhet më tej në komunikatën e MPJD-së, ka rezultuar edhe në angazhim konkret të një numri të vendeve anëtare mbështetëse për t’i kaluar pengesat përgjatë këtij procesi të anëtarësimit.
“Këto fakte, përveçse nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, janë vërtetuar edhe nga vendet anëtare të Këshillit të Evropës. Qytetarët e shteteve demokratike të Evropës, e kanë të drejtën e pamohueshme për të pasur qasje në instrumentet e Këshillit të Evropës, veçanërisht në Gjykatën Evropianë për të Drejtat e Njeriut (Gjykata e Strasburgut). Kjo e drejtë e qytetarëve të shtetit më demokratik në rajon, me progres të jashtëzakonshëm në sundimin e ligjit dhe reformave në drejtësi, nuk mund të kushtëzohet nga procese të tjera që nuk janë standarde të Këshillit të Evropës”, thuhet më tej në njoftim.
Është e rëndësishme, sipas MPJD-së, të sqarohet se janë tre faza të votimit për anëtarësim të një vendi në Këshillin e Evropës.
“Në fazën e parë, Komiteti i Ministrave fillon procedurën e anëtarësimit. Në fazën e dytë, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës vendos standarde relevante dhe jep rekomandimin për anëtarësim. Në fazën e tretë, Komiteti i Ministrave vendos pas opinionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”.
Aplikimi i Republikës së Kosovës është në fazën e parë, deklaron MPJD. Në këtë fazë, Komiteti i Ministrave, thuhet se duhet të kërkojë opinionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
“Në këtë fazë të parë të vendimit në Komitet të Ministrave nuk ka përcaktim të standardeve për fillim të anëtarësimit. Rrjedhimisht, çfarëdo kushtëzimi i mundshëm në këtë fazë do të ishte kundër Statutit të Këshillit të Evropës, praktikave të anëtarësimit dhe vlerave të organizatës”, sqaron MPJD.
Qeveria e Republikës së Kosovës, siç thuhet më tej në njoftim, ka thyer status-quo e dëmshme të ndalimit të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në organizata dhe instrumente ndërkombëtare dhe po angazhohet që Republika e Kosovës të anëtarësohet në organizata nga të cilat qytetarët e Republikës kanë përfitimet më të mëdha.
“Procesi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës është i pakthyeshëm dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të angazhohet që faza e parë të kalohet sa më parë”, thuhet në komunikatën për media lëshuar nga Divizioni për Komunikim Publik në MPJD.
Ndryshe, MPJD thotë se e ka lëshuar këtë njoftim për media, për t’i sqaruar disa keqkuptime dhe keqinterpretime të bëra së fundi rreth procedura e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.