Wednesday, August 12, 2026
HomeLajmeRama, Beogradit: Ibri do të rrjedhë sipas gjeografisë, jo sipas folklorit

Rama, Beogradit: Ibri do të rrjedhë sipas gjeografisë, jo sipas folklorit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas debatit të fundit mes Tiranës dhe Beogradit lidhur me lumin Ibër dhe deklaratave serbe për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së tij.

Përmes një reagimi, Rama e cilësoi përplasjen mes ministrave të jashtëm të Shqipërisë dhe Serbisë si një “shkëmbim shumë interesant gjatë verës”, duke theksuar se debati për lumin u zhvendos edhe te çështja e Kosovës dhe pretendimet për “Shqipërinë e Madhe”.

Rama tha se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale ndaj Serbisë dhe se mbështetja ndaj Kosovës nuk lidhet me ndonjë projekt territorial.

“Shqipëria nuk ka asnjë pretendim mbi territorin serb dhe nuk ka nevojë të shpikë një të tillë. As nuk kemi nevojë për një ‘Shqipëri të Madhe’ për të mbështetur Kosovën. Kosova është një shtet më vete”, ka shkruar Rama në X.

Kryeministri shqiptar u shpreh se Kosova ka institucionet dhe të drejtën e saj për të përcaktuar të ardhmen, ndërsa theksoi se Shqipëria do të vazhdojë ta mbështesë këtë të drejtë.

Në lidhje me pretendimet serbe për Kosovën, Rama përdori një gjuhë të drejtpërdrejtë.

“Serbia e humbi Kosovën. Përsëritja e asaj që nuk e humbi ndoshta mund ta kthejë humbjen në fitore në gjeografinë e imagjinatës politike, por për fat të keq hartat janë më pak të përshtatshme”, ka theksuar ai.

Duke iu rikthyer çështjes që nxiti përplasjen, Rama e përshkroi lumin Ibër si një sistem ndërkufitar ujor. Sipas tij, Serbia mund të menaxhojë burimet ujore brenda juridiksionit të saj, por pasojat për vendet e tjera nuk mund të injorohen.

“Ibri është një sistem ndërkufitar ujor. Serbia është plotësisht e lirë të menaxhojë burimet brenda juridiksionit të saj. Ajo që nuk mund të argumentojë në mënyrë të arsyeshme është se pasojat e mundshme për një vend tjetër ndalen magjikisht në kufirin serb”, ka shkruar Rama.

Rama iu referua edhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare, duke argumentuar se rrjedha e një lumi nuk mund të përcaktohet nga përplasjet politike.

“Lumenjtë kanë zakonin e papërshtatshëm të ndjekin gjeografinë në vend të pikave diplomatike të diskutimit”, ka theksuar ai.

Rama: Territori i Kosovës nuk është territor serb

Në reagimin e tij, Rama tha se territori dhe burimet natyrore të Kosovës nuk mund të trajtohen si pjesë e Serbisë.

“Territori i Republikës së Kosovës nuk është territor serb dhe burimet natyrore që ndodhen brenda tij nuk janë burime të Republikës së Serbisë”, ka thënë Rama.

Ai theksoi gjithashtu se Shqipëria mbështet të drejtat e komunitetit serb në Kosovë, duke përfshirë sigurinë, pronën, gjuhën dhe trashëgiminë kulturore e fetare.

Rama tha se Tirana kërkon marrëdhënie të mira me Beogradin dhe integrimin evropian të rajonit, por kjo, sipas tij, nuk mund të nënkuptojë pranimin e interpretimeve të ndryshme të historisë.

“Ne e respektojmë Serbinë, duam marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë dhe duam të gjithë rajonin brenda Evropës – Serbinë shumë të përfshirë”, ka shkruar ai.

Në mbyllje, kryeministri shqiptar iu rikthye metaforës së lumit Ibër, duke e përmbledhur qëndrimin e tij me një frazë të drejtpërdrejtë:
“Ibri, plotësisht i pavetëdijshëm për të gjithë kartografinë tonë historike, do të vazhdojë të rrjedhë sipas gjeografisë dhe jo sipas folklorit.”

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram