Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar lidhur me situatën e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar atë si shkelje të afateve dhe rregullave kushtetuese.
Në një postim në Facebook, PDK ka theksuar se Kushtetuta përcakton që Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve.
Sipas PDK-së, Gjykata Kushtetuese e ka sqaruar se ky afat nuk nënkupton vetëm fillimin e procesit, por përfundimin e konstituimit të Kuvendit brenda 30 ditësh.
Tutje ky subjekt politik ka rikujtuar edhe Rregulloren e Kuvendit, e cila, sipas PDK-së, përcakton se deri në përfundimin e seancës konstituive, me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, ndërprerjet e seancës nuk mund të zgjasin më shumë se 48 orë.
“Afati 30-ditor ka kaluar pa u konstituuar Kuvendi. Tash po shpërfillet edhe rregulli 48-orësh”, thuhet në reagimin e PDK-së.
PDK ka vlerësuar se situata aktuale përbën “suspendim dhe goditje të drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues të Republikës”.
“Kushtetuta nuk është rekomandim. Aktgjykimet nuk janë opsionale. Rregullat vlejnë për të gjithë – edhe për pushtetin. Ajo që po ndodh është suspendim dhe goditje e drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues të Republikës. PDK do ta mbrojë rendin kushtetues me çdo mjet!”, thuhet në reagimin e PDK-së.

