Thursday, August 13, 2026
HomeLajmeKosovëTensione në Kuvend, deputetët e PDK-së dhe Aleancës përplasen me të LVV-së

Tensione në Kuvend, deputetët e PDK-së dhe Aleancës përplasen me të LVV-së

Tensione dhe përplasje verbale janë shënuar të mërkurën në Kuvendin e Kosovës, gjatë aktiviteteve të organizuara me qytetarë. Deputetë të PDK-së dhe Aleancës kanë kundërshtuar pjesëmarrjen e deputetëve dhe figurave të Lëvizjes Vetëvendosje në aktivitet, duke kërkuar që të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit.

Në momentin kur deputetët e LVV-së janë afruar për të komunikuar me qytetarët, deputetët e PDK-së kanë protestuar dhe kanë brohoritur, duke krijuar situata të tensionuara në sallë.

Përplasjet janë shënuar edhe gjatë fjalimeve të zyrtarëve të LVV-së. Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, nuk ka arritur ta mbajë fjalën e saj për shkak të brohoritjeve nga deputetët e PDK-së.

Ndaj Gërvallës janë dëgjuar thirrjet “Demokraci” dhe “UÇK”.

Një situatë e ngjashme është krijuar edhe me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu. Ajo është përballur me thirrjet e deputetëve të PDK-së për vazhdimin e seancës konstituive dhe nuk e ka zhvilluar konferencën për media në hollin e Kuvendit.

Haxhiu ka bërë të ditur se konferencën nuk do ta mbajë nëse deputetët e PDK-së nuk largohen nga hapësira.

Ndërkohë, gjatë zhvillimeve në sallë, deputetë të opozitës kanë bërë edhe përpjekje për t’i larguar nga salla disa deputetë të Vetëvendosjes, duke e rritur edhe më tej tensionin.

Përplasjet vijnë në kohën kur Kuvendi vazhdon të përballet me ngërç rreth konstituimit dhe vazhdimit të seancës konstituive.

PDK dhe AAK kërkojnë vazhdimin e seancës

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës kanë vazhduar të qëndrojnë në sallën e Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar nga kryesuesi Avni Dehari që të thërrasë vazhdimin e seancës për konstituimin e legjislaturës.

Gjatë qëndrimit në sallë, deputetë të PDK-së kanë mbajtur fjalime nga foltorja, duke insistuar se procesi i konstituimit duhet të përmbyllet dhe se tejkalimi i afatit kushtetues nuk e eliminon këtë obligim.

Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, tha se deputetët e kanë marrë mandatin nga qytetarët dhe se askush nuk mund t’ua mohojë ushtrimin e tij.

“Mandatin na e ka dhënë populli, nuk na e ka dhënë Albin Kurti dhe nuk mund të na i marrë”, deklaroi Tahiri.

Ai tha se prania e deputetëve në Kuvend është një mënyrë për të shprehur qëndrimin e tyre dhe për të kërkuar funksionalizimin e institucioneve.

“Me qëllim që ta mbrojmë kushtetutshmërinë dhe ta funksionalizojmë Kuvendin, kemi ardhur këtu ku e kemi mandatin, për ta përcjellë qëndrimin tonë”, u shpreh ai.

Tahiri paralajmëroi se, në rast se mundësitë për zgjidhjen e situatës brenda Kuvendit shterojnë, partia e tij do të ndërmarrë hapa të tjerë politikë.

“Nëse shteren mundësitë brenda Kuvendit, do të jenë hapat tanë të tjerë të guximshëm për ta mbrojtur shtetin”, tha deputeti i PDK-së.

Ai gjithashtu bëri thirrje për reagim qytetar lidhur me situatën politike dhe institucionale në vend.

Ndërkaq Besnik Tahiri i Aleancës ka thënë se s’do të lejohet “dhunimi i së drejtës së qytetarëve”.

“Sovraniteti i takon popullit, i takon institucioneve të zgjedhura dhe ne që jemi këtu jemi të zgjedhur. Bllokimi i kuvendit është cenim i sovranitetit, rendi kushtetues dhe demokracisë. Nuk do të lejojmë në asnjë formë që të dhunohet e drejta e qytetarëve që me pas institucione”, ka thënë ai.

Ndërkohë, PDK-ja i është drejtuar më herët me letër kryesuesit të Kuvendit, Avni Dehari, duke kërkuar që seanca të vazhdojë pa vonesa.

Sipas kësaj partie, moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar ka krijuar një situatë të rëndë kushtetuese, por kjo, sipas tyre, nuk e heq përgjegjësinë për përfundimin e procesit.

“Obligimi për përfundimin e procesit konstituiv mbetet dhe duhet të përmbushet pa vonesa të mëtejshme”, thuhet në letrën e PDK-së.

Partia ka kërkuar që deputetëve të zgjedhur t’u mundësohet ushtrimi i mandatit dhe që seanca për konstituimin e Kuvendit të thirret sa më shpejt.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram