Prizreni po vazhdon të jetë një nga destinacionet më të vizituara turistike në Kosovë, me një fluks të madh turistësh gjatë gjithë vitit. Kështu deklaroi udhërrëfyesja turistike Flaka Bamja, e ftuar në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, ku foli për zhvillimin e turizmit, guidat turistike dhe interesimin e vizitorëve për Prizrenin dhe pjesë të tjera të Kosovës.
Bamja tha se interesimi për Prizrenin është rritur ndjeshëm, jo vetëm gjatë sezonit veror, por përgjatë tërë vitit. Përveç trashëgimisë kulturore dhe monumenteve historike, turistët janë të interesuar edhe për malet e Sharrit, shtigjet e ecjes dhe gastronominë tradicionale.
Sipas saj, Lidhja e Prizrenit, Muzeu Arkeologjik, Kalaja, monumentet fetare, gastronomia dhe mikpritja e qytetarëve janë ndër pikat kryesore që tërheqin vizitorët.
Një nga shqetësimet e ngritura gjatë intervistës ishte prania e guidave të pacertifikuara, të cilat, sipas Bamjes, mund të japin informacione të pasakta dhe të shtrembërojnë historinë e qytetit.
Ajo tha se këtë problem e kishte ngritur që në vitin 2012 dhe se më pas kishin nisur hapat për certifikimin e guidave turistike. Bamja vlerësoi se certifikimi dhe profesionalizmi i udhërrëfyesve janë të domosdoshëm për prezantimin e saktë të trashëgimisë kulturore dhe historisë së Prizrenit.
“Turistët nga Turqia përbëjnë një pjesë të madhe të fluksit, në ditët më të ngarkuara mund të mbërrijnë rreth 10 deri në 20 autobusë”, theksoi ajo.
Tutje tregoi se interesim të vazhdueshëm kanë edhe turistët nga vendet evropiane, Japonia, Amerika, Australia dhe Zelanda e Re.
Në rritjen e turizmit, rol të rëndësishëm ka edhe diaspora, e cila jo vetëm viziton familjet gjatë verës, por shpesh sjell edhe miq dhe kolegë nga vendet ku jeton, duke kontribuar kështu në promovimin e Prizrenit dhe Kosovës.
Bamja tha se turistët nuk kufizohen vetëm në Prizren. Në programet turistike përfshihen edhe Gjakova, Deçani, Peja, Prishtina, Mitrovica, Ujëvarat e Mirushës dhe zona të ndryshme malore e rurale.

