Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre personave të ndaluar, të dyshuar për transportim të narkotikëve me qëllim të shitjes.
Sipas Prokurorisë, bëhet fjalë për të dyshuarit me inicialet L.B., F.S. dhe L.S., ndaj të cilëve është bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit nga Departamenti i Krimeve të Rënda i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.
“Tre (3) të pandehurit, me datë 11.08.2026 rreth orës 16:00 në rrugën magjistrale Prishtinë – Mitrovicë, në fshatin Pestovë, Komuna e Vushtrrisë, së bashku me dy automjetet e tyre pa autorizim kanë transportuar substanca narkotike të llojit marihuanë, me qëllim shitje”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas organit të akuzës, njëri automjet drejtohej nga L.B., ndërsa automjeti tjetër nga L.S., ku pasagjer ishte F.S.
Prokuroria pretendon se gjatë përpjekjes së policisë për t’i ndaluar të dyshuarit në rrethrrotullimin e Pestovës, automjetet kanë goditur policinë dhe, në përpjekje për t’u larguar, kanë shkaktuar një aksident.
Gjatë kontrollit të automjetit, sipas Prokurorisë, është gjetur një çantë me 3 kilogramë e 18 gramë marihuanë, e cila është sekuestruar.
“Gjatë patrullimit të veturës gjendet një çantë brenda të cilës janë gjetur dhe sekuestruar tre kilogramë e tetëmbëdhjetë (3018) gramë substancë narkotike e llojit marihuanë”, thuhet në njoftim.
Tre të dyshuarit dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Ndërkaq, ndaj të pandehurit F.S. rëndon edhe dyshimi për veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Seanca për caktimin e masës së paraburgimit pritet të mbahet para gjyqtarit të Procedurës Paraprake në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.
Të dyshuarit konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

