Thursday, April 16, 2026
HomeLajmeKosovëHaxhiu për zgjedhjen e presidentit: Duhet diskutime, jo barrikada

Haxhiu për zgjedhjen e presidentit: Duhet diskutime, jo barrikada

Derisa kanë mbetur pak ditë deri te zgjedhja e kreut të ri të shtetit, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se vendi ka nevojë për stabilitet politik dhe përqendrim të plotë tek prioritetet që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve. Sipas saj, nuk është koha as për përplasje as për kërkesa të parealizueshme që thotë se e largojnë procesin nga thelbi i tij.

Kryeparlamentarja, pas mbledhjes që pati me Kryesinë tha se ata nuk mund të veprojnë pa pasur kandidatë të cilët i kanë 30 nënshkrime.

Haxhiu sqaroi se për garën e presidentit të shtetit kërkohet që të jenë dy kandidatë, por lejohet që të jetë edhe tre apo katër, por deputetët lejohet të japin nënshkrimin vetëm për njërin kandidat.

“Sepse siç e dini Kuvendi i Republikës i ka 120 deputetë, dhe secili kandidat duhet t’i ketë nga 30 nënshkrime, por një deputet nuk mund të jap nënshkrimin për dy kandidatë, por vetëm për një kandidat”, sqaroi Haxhiu.

Kryekuvendarja tha se Kushtetuta kërkon 80 vota në kuti për dy raundet e para, e në të tretin tha se mjafton të jenë 61 vota për.

“Kjo do të thotë se fryma e saj është qartësisht frymë konsensusi, asnjë palë e vetme nuk  mund ta bëjë, prandaj duhet diskutime të sinqerta me kërkesa të arritshme, dhe jo barrikada të patejkalueshme. Si kryetare e Kuvendit mirëpres diskutimet e takimet që kanë nisur ndërmjet partive politike, dhe mbështesë po ashtu çdo përpjekje serioze për dialog konstruktiv me qëllim gjetjen e një kandidature që bashkon”, deklaroi para gazetarëve Haxhiu.

Ajo tha se qëndrimet e partive politike janë parë vitin e kaluar, sipas saj, qëndrime që më shumë bllokojnë se sa japin zgjidhje dhe dihet rezultati që prodhojnë.

“Prandaj pa paragjykim për qëndrimet e partive politike, siç keni parë, qëllimi ka qenë ta kemi një figurë që merr mbështetje nga ana e deputetëve të Kuvendit të Republikës dhe siguron 80 vota në kuti. Unë nuk po paragjykoj qëndrimet subjekteve politike, por për mua qëndrimet të cilat bllokojnë nuk janë të mirëseardhura. Asnjëra nga partitë politike nuk mund t’i thotë dikujt që është vetëm kandidati im partiak, mi siguroni t’i nënshkrimet, ma siguro votën në Kuvend. Nuk është në rregull të mos dihet as emri , por siguromi nënshkrimet dhe votën në Kuvend. Mendoj që secila prej partive politike, pa dallim duhet t’i braktisin qëndrimet e tilla. Të bëhemi bashkë le të mendojmë për qytetarë e Kosovës e për interesat e Republikës. Kemi shumë punë përpara, vetëm situatat e vitit të kaluar nuk kanë nevojë të na përsëriten”, tha Haxhiu.

Haxhiu ka folur edhe për heqjen e masave nga BE, që tha se informacionet i kanë që vendimi do të merret sot.

“Ne presim që kjo të ndodhë sa më parë. Informacionet tona janë që sot do të vendoset në këtë drejtim. Si kryetare e Kuvendit e përshëndes heqjen e masave të padrejta, ndonëse me vonesë, por e përshëndetim si veprim apo si vendim”, tha ajo.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments