Në Ferizaj u shfaq premiera e filmit “Masakra e Tivarit”, me regji dhe skenar të Mentor Hazirit, një vepër që përmes gjuhës së filmit rikthen në vëmendje një nga ngjarjet më të dhimbshme të historisë sonë.
I konceptuar si film dokumentar me elemente të dramatizuara, “Masakra e Tivarit” ndërthur materiale dhe fotografi autentike, skena të interpretuara nga aktorët, rrëfimin historik, këngën dhe muzikën instrumentale, duke sjellë para publikut përmasat dhe tragjedinë e ngjarjes, në të cilën u vranë mijëra shqiptarë.
“Shfaqja e filmit u vlerësua si një kontribut i rëndësishëm në ruajtjen dhe përcjelljen e kujtesës historike, veçanërisht te brezat e rinj, për ngjarje që kanë lënë gjurmë të thella në historinë e popullit shqiptar. Filmi “Masakra e Tivarit” është realizuar me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, ndërsa organizimi i shfaqjes premierë u mbështet nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Ferizaj”, njofton Komuna e Ferizajt.

