ur një shtet fiton për herë të parë të drejtën për të organizuar “Evrovizion”-in, logjika zakonisht është e thjeshtë: konkursi zhvillohet në kryeqytet. Aty gjenden infrastruktura më e madhe, lidhjet ndërkombëtare, hotelet, mediat dhe institucionet…
Bullgaria, megjithatë, zgjodhi një rrugë tjetër.
Më 13 gusht 2026, Bashkimi Evropian i Radios dhe Televizionit (EBU) dhe Televizioni Kombëtar Bullgar (BNT) njoftuan se Burgasi do të jetë qyteti pritës i konkursit “Evrovizion 2027”. Qyteti bregdetar fitoi konkurrimin e brendshëm përballë kryeqytetit Sofje, dhe në maj të vitit të ardhshëm do të presë muzikantët, delegacionet, gazetarët dhe mijëra fansa.
Gjysmëfinalet do të zhvillohen më 11 dhe 13 maj, ndërsa finalja e madhe më 15 maj.
Drejtoresha e përgjithshme e BNT-së Milena Millotinova dhe kryetari i bashkisë së qytetit Burgas Dimitër Nikollov
FOTO: BTA
Pa dyshim, vendimi ka një rëndësi që shkon përtej një aktiviteti muzikor. Ai e vendos Burgasin në qendër të vëmendjes ndërkombëtare dhe tregon se Bullgaria është e gatshme t’i prezantojë botës jo vetëm kryeqytetin e saj, por edhe qytete të tjera të vendit.
Një vështrim i shpejtë në historinë e “Evrovizionit” na tregon se, ndër vite, konkursi ka “dalë” shumë herë nga kryeqytetet e Evropës. Holanda zgjodhi Roterdamin si qytet pritës pas pandemisë së Covid-19, ndërsa në vitin 2022 Italia preferoi Torinon në vend të Romës. Mbretëria e Bashkuar ia besoi organizimin Liverpulit në vitin 2023, ndërsa Suedia – Malmos në vitin 2024. Në vitin 2025, Bazeli priti konkursin në vend të kryeqytetit, Bern.
Pra, zgjedhja e Burgasit si qytet pritës i “Evrovizionit 2027” mund të shihet si pjesë e një tendence më të gjerë evropiane, ose më saktë, e një koncepti sipas të cilit ngjarjet e mëdha ndërkombëtare nuk është e domosdoshme të përqendrohen vetëm në qendrat administrative të shteteve.
Pamje nga ajri mbi qytetin e Burgasit
FOTO: BTA
Asi më i fortë e Burgasit, pa dyshim, është deti. Kur miliona shikues në mbarë botën dëgjojnë “Burgas! Bullgari!”, në sfond do t’u shfaqen gjithmonë deti, Kopshti i Detit, plazhi, por edhe aktivitetet kulturore dhe atmosfera e bregdetit bullgar të Detit të Zi. Pra, ky është një potencial i jashtëzakonshëm turistik. Faqja zyrtare e “Evrovizionit” tashmë e prezanton Burgasin pikërisht si një qytet në bregdetin e Detit të Zi dhe vë në pah historinë, kulturën dhe rolin e tij si qytet pritës në vitin 2027.
Për Bullgarinë, kjo është fushata më e mirë reklamuese, e financuar jo vetëm nga buxheti kombëtar për turizmin, por edhe përmes interesit të tregut të madh televiziv evropian dhe mijëra fansave të “Evrovizionit”, një pjesë e madhe e të cilëve do ta shohin për herë të parë bregdetin bullgar pikërisht si pjesë të konkursit më të madh muzikor në planet.
FOTO: BTA
Por… Pas çdo entuziazmi vjen edhe një “por” paralajmërues… Është shumë e rëndësishme se si Bullgaria dhe, në veçanti, drejtuesit e Burgasit do ta përballojnë këtë sfidë. Përveç popullaritetit, “Evrovizioni” sjell me vete edhe një përgjegjësi të madhe. Qyteti duhet të sigurojë transportin, akomodimin, sigurinë, logjistikën dhe shërbimet për një numër të madh njerëzish brenda një periudhe të shkurtër. Nëse arrijmë t’i përballojmë të gjitha këto, atëherë përfitimet afatgjata për qytetin dhe për vendin tonë do të ishin të jashtëzakonshme. Sepse suksesi i Burgasit nuk do të matet vetëm me pamjet e bukura televizive nga Kopshti i Detit dhe plazhet…
Pikërisht këtu fshihet edhe potenciali i madh që hapet para Burgasit – shndërrimin e tij nga një destinacion turistik veror në një qytet modern dhe të kërkuar për organizimin e ngjarjeve ndërkombëtare gjatë gjithë vitit.
FOTO: BTA
Por, pa dyshim, zgjedhja e Burgasit si qytet pritës i “Evrovizionit 2027” është edhe një vazhdim logjik i zhvillimit të qytetit. Vitet e fundit, Burgasi gjithnjë e më vështirë mund të përshkruhet vetëm si një qendër turistike verore. Deti dhe sezoni tradicional veror vazhdojnë të jenë pjesë e identitetit të tij, por krahas tyre po krijohet gradualisht një imazh i ri – i një qyteti që investon në infrastrukturë, tërheq kompani industriale, institucione arsimore dhe specialistë të shëndetësisë, zhvillon transport të qëndrueshëm dhe synon ta shndërrojë kulturën në një motor të jetës urbane gjatë gjithë vitit.
Burgasi tashmë ka një kalendar të pasur me festivale, koncerte, kinema, art dhe veprimtari në ambiente të hapura. Mes tyre janë Festivali Ndërkombëtar i Filmit, “Xhaz në Burgas”, “Me një libër në plazh”, festivale të muzikës dhe nisma të ndryshme në Kopshtin e Detit dhe në hapësirat kulturore.
Në maj të vitit 2026, Burgasi ishte një nga qytetet bullgare që priti turin prestigjioz çiklistik Giro d’Italia. Ndërsa vetëm pak ditë më parë, më 7 dhe 8 gusht, Porti Detar i Burgasit u shndërrua edhe një herë në skenën e ngjarjes më të madhe në Bullgari kushtuar muzikës nga vitet ’90 e deri më sot – SPICE Music Festival 2026. Aty performuan Thomas Anders nga “Modern Talking”, Jenny Berggren nga “Ace of Base” dhe Ruslana nga Ukraina. Nuk duhen lënë pa përmendur as koncertet verore të yjeve më të mëdhenj të popit bullgar, si dhe kalendari i pasur me shfaqje teatrale, shfaqje operistike dhe koncerte të muzikës klasike.
Pra, kushtet dhe parakushtet janë aty. Testi i vërtetë për Burgasin dhe Bullgarinë është ende përpara!

