Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj Vezir Hazirjt, i dyshuar për vrasje të mbetur në tentativë, mbajtje të paautorizuar të armëve dhe kanosje.
Sipas Prokurorisë, rasti ka ndodhur më 7 gusht në fshatin Orroberd të Istogut, pas një mosmarrëveshjeje ndërmjet të dyshuarit dhe të dëmtuarit D.H.
Dyshohet se pas përleshjes fizike, Vezir Haziraj ka nxjerrë një pushkë gjuetie të modifikuar dhe ka shtënë në drejtim të D.H., duke e goditur në kofshën e majtë dhe duke i shkaktuar lëndime trupore të rrezikshme për jetën. Pas incidentit, i dyshuari dyshohet se është larguar nga vendi i ngjarjes.
Prokuroria thotë se gjatë hetimeve është konstatuar edhe dyshimi se Vezir Haziraj ka poseduar në mënyrë të paautorizuar armë, përfshirë pushkën e gjuetisë së modifikuar dhe një revole, për të cilat nuk kishte leje nga organet kompetente.
Ndërkaq, më 8 gusht, i dyshuari dyshohet se përmes rrjeteve sociale ka bërë një publikim me përmbajtje kërcënuese ndaj personave zyrtarë, duke i kanosur me dëmtim përmes përdorimit të armëve të zjarrit dhe mjeteve shpërthyese.
Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit dhe kërkesën ia ka dorëzuar gjykatës kompetente për vendim.

