Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e Çedomir Aksiq, i cili ishte dënuar në mungesë me 15 vjet burg për krime lufte, përfshirë pjesëmarrjen në masakrën e Reçakut (1999), ku u vranë 45 civilë shqiptarë.
Departamenti Special i Apelit ka njoftuar se ka pranuar ankesën e mbrojtjes dhe ka anuluar aktgjykimin e Gjykata Themelore në Prishtinë, duke e kthyer çështjen në rigjykim dhe vendosje, pasi ka konstatuar shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.
Sipas Apelit, gjykimi është zhvilluar në mungesë të të akuzuarit pa u përmbushur kushtet ligjore të nenit 303 të Kodit të Procedurës Penale, ngase nuk janë ndërmarrë përpjekje të arsyeshme për njoftimin e tij dhe sigurimin e pranisë në shqyrtim gjyqësor, përfshirë mungesën e provave për publikimin e ftesës dhe aktakuzës, si dhe moszhvillimin e një fushate informative të plotë, e cila është parakusht ligjor për mbajtjen e gjykimit në mungesë.
Apeli ka vlerësuar se këto mangësi procedurale e bëjnë aktgjykimin e shkallës së parë të paligjshëm, prandaj rasti duhet të rishqyrtohet nga fillimi.

