Me 44 edicione dhe më shumë se pesë dekada histori, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare vazhdon traditën në Prishtinë. Edicioni i sivjetmë, nga 17 deri më 28 gusht, fokusohet në zhvillimet bashkëkohore të shqipes, ndërsa në letërsi trajton marrëdhënien me lexuesin dhe konceptin e atdheut fizik, metafizik e sureal.
Në hapje, ud. presidentja Albulena Haxhiu theksoi nevojën që shqipja të jetë pjesë e zhvillimeve të reja teknologjike.
“Në fushat ku dija, teknologjia apo prodhimi kulturor zhvillohen kryesisht në një gjuhë tjetër, përdorimi i shqipes mund të fillojë të ngushtohet. Shqipja nuk mund të mbetet gjuhë e së kaluarës në një botë që po ndërton të ardhmen me algoritme”, tha Haxhiu.
Programi përfshin kurse të shqipes në tri nivele, ligjërata, tryeza dhe sesione shkencore, ndërsa Prishtina për dy javë bëhet vendtakim i studiuesve dhe dashamirësve të kulturës shqiptare.
“Edhe sivjet nga 17-deri më 28 gusht Prishtina po bëhet vendtakim i albanologëve, i shkrimtarëve, i studiuesve, i studentëve dhe i dashamirëve të kulturës shqiptare. Ky seminar si gjithmonë është më shumë se një varg ligjëratash dhe sesionesh shkencore”, tha Hajrulla Çeku, ministër në detyrë i Arsimit.
Seminari është i lidhur ngushtë edhe me Universitetin e Prishtinës dhe me zhvillimin e studimeve albanologjike.
“Asnjë ngjarje tjetër në fushën e albanologjisë nuk lidhet më shumë me zhvillimin, fatin dhe historinë e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare por edhe me vet Universitetin e Prishtinës se sa kjo e Seminarit ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare”, tha Arben Hajrullahu, rektor i UP-së.
Për studiuesit që kanë qenë pjesë e tij ndër vite, Seminari ka edhe një vlerë të veçantë personale dhe akademike.
“Ndjehem shumë i nderuar sepse në gjykimin tim sepse seminari i Prishtinës është shndërruar mendoj unë tashmë në një jo vetëm markë e kulturës shqiptare por në një institucion”, tha Mark Marku, Fakulteti i Historisë, UT.
Përveç programit shkencor, seminaristët do të kenë mundësi të njihen me trashëgiminë kulturore dhe bukuritë natyrore të Kosovës.
Punimet e Seminarit vazhdojnë deri më 28 gusht.

