Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim kryetarin e Bashkisë Metropolitane të Izmirit, Dr. Cemil Tugay, me të cilin diskutoi për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe qytetit të Izmirit.
Sipas njoftimit nga Kryeministria, Kurti e falënderoi Tugayn për vizitën, duke theksuar lidhjen e veçantë të shqiptarëve me Izmirin, si dhe marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Turqisë. Ai vlerësoi gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë për Kosovën.
“Në takim u diskutua për mundësitë konkrete të thellimit dhe të zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet Izmirit dhe Kosovës në ekonomi, industri e ndërmarrësi, arsim e kulturë, teknologji e inovacion, sikurse edhe në bujqësi, mjedis e energji. Në këtë kontekst u përmend edhe roli i rëndësishëm i komunitetit shqiptar në Turqi dhe atij turk në Kosovë, si urë e fortë lidhëse ndërmjet dy vendeve”, thuhet në njoftim .
Tutje thuhet se krahas potencialit për investime dhe tregti, në takim u diskutua edhe për rëndësinë e shkëmbimit të përvojave në një sërë fushash, veçmas në atë të mjedisit dhe të menaxhimit të mbeturinave.

