Friday, August 21, 2026
HomeLajmeKosovëVdekjet e punëtorëve, Bordi i KEK-ut kërkon llogaridhënie

Vdekjet e punëtorëve, Bordi i KEK-ut kërkon llogaridhënie

Bordi i KEK-ut ka kërkuar që, pas rasteve të vdekjeve të punëtorëve, të adresohen me përgjegjësi rolet, përgjegjësitë dhe llogaridhënia e secilit nivel të përfshirë në proceset e sigurisë në punë.

“Bordi i Drejtorëve dhe Menaxhmenti i KEK Sh.A. shprehin pikëllimin e thellë për humbjen e jetëve të punëtorëve tanë dhe u përcjellin ngushëllimet më të sinqerta familjeve, të afërmve, miqve dhe kolegëve të tyre. Në takimin e jashtëzakonshëm të Bordit të Drejtorëve dhe Menaxhmentit të KEK Sh.A., i cili sapo ka përfunduar, Bordi është informuar nga Menaxhmenti për rrethanat e përgjithshme të ngjarjes. Në vendngjarje janë duke u zhvilluar hetimet përkatëse nga organet kompetente dhe ekspertët e forenzikës, ndërsa të gjitha rrethanat dhe shkaqet e këtij rasti do të ndriçohen plotësisht përmes procesit hetimor”, njofton KEK.

Sipas KEK-ut, në kuadër të masave konkrete, Bordi ka kërkuar që të adresohen me përgjegjësi rolet, përgjegjësitë dhe llogaridhënia e secilit nivel të përfshirë në proceset e sigurisë në punë.

“Në këtë drejtim, KEK Sh.A. do të formojë një Task Force për Sigurinë Industriale dhe Shëndeti në Punë, në përbërjen e së cilës do të përfshihen edhe ekspertë të jashtëm të fushës. Task Forca do të ketë për detyrë të bëjë një rishikim të plotë të protokolleve, procedurave, standardeve dhe mekanizmave ekzistues që lidhen me sigurinë dhe shëndetin në punë, me qëllim identifikimin e çdo mangësie dhe marrjen e masave konkrete për përmirësimin e tyre. Po ashtu, vlerësimi i rrezikshmërisë së vendeve të punës është kontraktuar gjatë këtij viti dhe aktualisht është në fazën e implementimit. Rezultatet e këtij procesi do të shërbejnë gjithashtu si një nga bazat për ndërmarrjen e masave të mëtejshme për eliminimin dhe reduktimin e rreziqeve në vendet e punës”, thuhet në komunikatën e KEK-ut.

Bordi dhe Menaxhmenti mbeten të përkushtuar që siguria dhe shëndeti i punëtorëve të jenë prioritet absolut i Korporatës. Asnjë objektiv operacional apo i prodhimit nuk mund të jetë mbi sigurinë dhe jetën e punëtorëve.

“Në ditët në vijim, do t’ju njoftojmë për hapat dhe masat konkrete që do të ndërmerren për forcimin e sigurisë industriale dhe shëndetit në punë”, thuhet në komunikatën e KEK-ut.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram