Partia Demokratike e Kosovës ka vazhduar edhe të premten aksionin para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke bllokuar hyrjen në shenjë proteste për mosvazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit.
Kjo është dita e shtatë radhazi e këtij aksioni të PDK-së, ndërsa protestës edhe sot i janë bashkuar deputetë të Aleancës, si dhe përfaqësues të PDK-së nga Komuna e Lipjanit.
Asamblistja e PDK-së në Lipjan, Yllëza Bedrolli, ka deklaruar se bllokimi i institucioneve duhet të marrë fund, duke i bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të kthehet në Kuvend dhe të mundësojë formimin e institucioneve.
“Sot ne e përkrahim këtë protestë me faktin që nuk mundemi të lejojmë bllokimin e institucioneve. Nuk mund të lejojmë të mbyllen dyert e një institucioni publik siç është Kuvendi”, tha Bedrolli.
E deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, tha se pjesëmarrja në këtë aksion synon ngritjen e vetëdijes qytetare dhe politike lidhur me, siç tha ai, shkeljet kushtetuese.
Tahiri kritikoi gjithashtu ushtrimin e funksioneve nga anëtarë të kabinetit qeveritar që janë betuar edhe si deputetë, duke e cilësuar këtë situatë si kundërligjshme.

